Ambasadorja amerikane, Angela Aggeler, ka thënë dje nga Gostivari se duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që vendi të ecë përpara. Sipas saj, deputetët duhet të votojnë për progres.
“E di që është e vështirë, por duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese, e di që nuk është një hap i preferuar dhe popullor, por është i domosdoshëm për një hap përpara. Deputetët duhet të votojnë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara me diskutimet dhe procesin e integrimeve dhe anëtarësimit në BE, tha Ageler në një panel diskutimi në Qendrën Rinore të Bashkësisë.
I pyetur për sanksionet, Aggeler tregoi se ato janë efektive.
“Sanksionet do të inkurajojnë sjellje më të mirë dhe do t’i detyrojnë funksionarët e zgjedhur, mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë të veprojnë në mënyrën e duhur, si dhe të kryejnë punën e tyre me integritet. Kuptuam se sanksionet, qofshin ato për politikanë apo biznesmenë, mund të jenë shumë efektive dhe detyruese. Ata i bëjnë njerëzit të jenë shumë më të kujdesshëm se sa ishin, sepse sanksionet e SHBA-së janë serioze dhe mund të kenë pasoja afatgjata, tha ambasadorja amerikan, Ageler nga Gostivari.