Zyrtarë të Departamentit të Policisë Kriminale – Seksioni për Trafikim ilegal me drogë, armë dhe substanca të rrezikshme, nga Seksioni për krime të dhunshme dhe nga Njësiti për trafikim ilegal me armë në SPB Shkup, dje kanë ndaluar I.B.(57) nga fshati Kopanicë i Shkupit, njoftoi MPB.
Pas urdhrit të marrë paraprakisht për bastisje nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, zyrtarët policorë kanë bastisur shtëpinë e I.B., me ç’rast kanë gjetur një pistoletë “Staer” me dy korniza dhe 61 fishekë të kalibrit 9 mm. Nga hetimi i kryer, u konstatua se arma e kishte origjinën nga një vjedhje e kryer më 20 janar 2023 në shtëpinë e M.B. në Strumicë nga i afërmi i saj P.I.(25) nga Strumica, i cili më 23.01.2023 është privuar nga liria për shkak të vrasjes së saj dhe tashmë është në paraburgim prej 30 ditësh.
Mbrëmjen e djeshme, në koordinim me Drejtorinë e Zbatimit të Sanksioneve, është kryer bastisje edhe në KPU Idrizovë, ku janë gjetur prova shtesë në lidhje me veprën e kryer “prodhimi, mbajtja dhe tregtimi pa leje i armëve apo lëndëve shpërthyese”. Pas dokumentimit të plotë të rastit, SPB Shkup do të bëjë kallëzim adekuat penal konform nenit 396 i Kodit Penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup.