Murati: Jemi të gatshëm ta falim një pjesë të tatimit në pronë, u takon komunave të vendosin

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria është e gatshme që në kuadër të ligjit të ri në të cilin po punojnë, të trajtojnë edhe faturat e tatimit në pronë për vitin aktual.

Ai tha se qeveria është e gatshme t’i dëgjojë komunat, pasi sipas tij, tatimi në pronë janë të hyra të komunave, u takon atyre dhe të tregojnë se çka duan të bëjnë.

“Ne si ministri jemi të gatshëm të mbështesim çdo kërkesë të komunave të uljes së tatimit për vitin aktual, qoftë duke shkuar për të gjithë njësoj ose duke marrë një përqindje të rritjes për ta falur si tatim në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët”, është shprehur Murati, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai përmendi disa raste ku tha se gjatë vlerësimit ka pasur ndërtesa apo prona që s’kanë qenë fare të regjistruara për tatim.

“Shembull, në komunën e Prishtinës është identifikuar një ndërtesë 20 katëshe që s’ka qenë e regjistruar për tatim. E, vlera ishte diku 14 milionë euro e s’ka qenë e regjistruar për tatim”, është shprehur Murati, njofton Klankosova.tv.