Kryetar i ri i BNJVL-së është Orce Gjorgjievski, kryetar i komunës së Kisella Vodës, kanë vendosur në seancën e sotme shumica e anëtarëve të Bordit drejtues të BNJVL-së. Gjorgjievski vjen në pozitën e kryetarit të BNJVL-së pasi kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, u shkarkua nga kjo pozitë.
“Në të njëjtën pozitë mbeten nënkryetarët e BNJVL-së, Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit dhe Pero Kostadinov, kryetar i Komunës së Vallandovës, edhe kryetarja e mëparshme e BNJVL-së, Danela Arsovska, kryetare e qytetit të Shkupit, vazhdon me aktivitetet në këtë organ, si anëtare e Bordit Administrativ. Në fakt, sipas Statutit të BNJVL-së, kryetari i Qytetit të Shkupit sipas detyrës zyrtare është anëtar i Bordit drejtues të BNJVL-së, njoftojnë sot nga BNJVL.
Në këtë seancë Bordi Drejtues ka arritur edhe në konkluzion për dërgimin e kërkesës urgjente te Qeveria e RMV-së për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët, ku temë kryesore e bisedës do të jetë gjetja e zgjidhjeve të duhura për sfidat me të cilat ballafaqohen njësitë e vetëqeverisjes lokale lidhur me krizën energjetike. U theksua se komunat janë futur në kolaps nga faturat e larta të energjisë elektrike dhe se shumica e komunave nuk mund ta durojnë këtë gjendje as edhe një muaj.
Në seancën e 14-të, Bordi Drejtues ka diskutuar edhe për propozimin e Memorandumit për bashkëpunim me Qeverinë e RMV-së, i cili tashmë një vit ishte në shqyrtim nga qeveria qendrore.