Një çift iranian në të 20-at e tyre janë dënuar me 10 vite heqje lirie në total, pasi postuan një video duke kërcyer në rrugë. Sipas asaj që shkruan BBC, ata u dënuan për promovim të korrupsionit, prostitucionit dhe propagandës. Në video ata shfaqeshin duke kërcyer pranë kullës Azadi (Lirisë) të Teheranit.
Autoritetet iraniane po japin dënime të ashpra ndaj atyre se shihen të përfshirë në protesta, pas vdekjes së një vajze e cila u ndalua nga policia për çështje morali.
Çifti nuk e lidhi kërcimin me protestat që vijojnë në Iran. Një burim konfirmoi për BBC se arrestimi i tyre erdhi pasi kishin postuar videon në llogaritë e tyre në Instagram, ku të dy së bashku kanë gati 2 milionë ndjekës.
Protestat antiqeveritare, të cilësuara si ‘trazira’ nga regjimi iranian, u përhapën nëpër vend pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini, vdiq teksa ndodhej në paraburgim, Shtatorin e shkuar. Ajo u arrestua në Teheran për shkelje të rregullit sipas të cilit femrat duhet të mbulojnë flokët me hixhab ose shall.
Sa i përket dy të rinjve, Astiazh Haqiqi, 21-vjeçe dhe i fejuari i saj 22-vjeçar Amir Mohammad Ahmadi thuhet se u dënuan për “promovim të korrupsionit dhe prostitucionit, komplot kundër sigurisë kombëtare dhe propagandë kundër regjimit”.
Përveç dënimit me 10 vjet burg, atyre po ashtu iu ndalua përdorimi i rrjeteve sociale dhe dalja jashtë vendit, për 2 vjet.
Lëvizja e protestave që nisi në Shtator është shndërruar në një prej sfidave më serioze për regjimin iranian qëkur erdhi në pushtet në revolucionin e 1979-s. Për të frenuar këto protesta, shteti ka dhënë dënime tejet të rënda, përfshirë ekzekutimin e të paktën 4 protestuesve, më herët gjatë këtij muaji dhe në Dhjetor.
Teksa vdekja e Mahsa Amini ishte katalizator për protestat e përhapura në të gjithë vendin, ato morën edhe më shumë zë për shkak të pakënaqësisë të zgjatur në kohë mbi varfërinë, papunësinë, pabarazinë, padrejtësinë e korrupsionin.
Me qindra janë vrarë dhe me mijëra janë arrestuar gjatë demonstratave që u bënë për rrethanat e vdekjes së saj./tvklan.al