26 vjetori i rënies heroike, Ahmeti: Lavdi e përjetshme Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka përkujtuar në 26 vjetorin e rënies heroike, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullafun dhe Edmond Hoxhën.

Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka potencuar se mbi gjakun e tyre qëndrojnë themelet e pavarësisë së Kosovës.

“Të rritur që në vegjëli në frymën e atdhedashurisë nëpër odat e burrërisë, në zemrat e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit do të ndizej flakadani i lirisë, drejtësisë dhe veprimit për çlirimin e vendlindjes nga kthetrat e okupimit. Në guximin dhe vendosshmërinë e tyre ka fillet e saj Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pushkët e tyre do të bëheshin kushtrim lirie që do të ngrinte në këmbë breza të tërë në shërbim të idealit kombëtar të lirisë.
26 vjet më parë ranë fizikisht, por veprimtaria e tyre është shkëndijë e pavdekshme trimërie në ndërgjegjen e kombit, është shembulli më i mirë se si duhet atdheu dhe mbi gjakun e tyre qëndrojnë sot themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.Lavdi e përjetshme heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha” – ka shkruar Ahmeti.

Më 31 janar,  Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë së bashku me bashkëluftëtarin dhe nipin e tij Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarin tjetër Edmond Hoxha nga Juniku, forcat serbe kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës Urdhrin Hero i Kosovës.