Lojërat Olimpike Paris 2024, Zelensky letër Macron. Kërkon pezullimin e sportistëve rusë e bjellorusë nga ngjarja madhore
Me luftën në Ukrainë që vijon të jetë në pikën e saj më kritike, presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky kërkon vëmendjen edhe në sport. Përmes një letre dërguar homologut të tij francez, Emmanuel Macron për të ndaluar atletët rusë dhe bjellorusë për të marrë pjesë ne Lojërat Olimpike, Paris 2024.
Presidenti Zelensky e ka krahasuar mundësinë e pjesëmarrjes së tyre me Gjermaninë që ishte mikpritëse e lojërave të vitit 1936 dhe ka bërë thirrje edhe një herë që ata të ndalohen nga garat.
“I dërgova një letër zotit President Macron pikërisht për këtë çështje. Ndërsa përgatitemi për Olimpiadën e Parisit, duhet të jemi të sigurt se Rusia nuk do të jetë në gjendje ta përdorë ose çdo ngjarje tjetër sportive ndërkombëtare për të promovuar agresionin e saj shtetëror.
Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, në Evropë u bënë shumë gabime që çuan në tragjedi shumë të tmerrshme. Kishte gjithashtu një gabim të madh olimpik. Lëvizja olimpike dhe shtetet terroriste definitivisht nuk duhet të marrin pjesë”.
Ukraina nuk ka përjashtuar mundësinë e bojkotimit të ngjarjes madhore nëse atletët rusë dhe bjellorusë marrin pjesë, e ku në favor të tyre është fakti që të garojnë nën një flamur neutral. Gjithsesi, një tjetër mundësi për këta atletë është që ata të përfaqësojnë një tjetër shtet, me vendet Aziatike që tani i kanë ofruar një mundësi për tu kualifikuar për Lojërat Olimpike të Parisit. Megjithatë Ukraina zyrtare kërkon që atletët të mos marrin pjesë fare në Lojërat Olimpike të verës së ardhshme, as si neutralë, pasi në të kundërt do të kishte pasiguri.
Klan News