Mbi një milion njerëz ndjekin meshën e Papa Françeskut në Republikën Demokratike të Kongos – Klan Macedonia

Papa Françesku festoi një nga meshat e tij më të mëdha, me më shumë se një milion pjesëmarrës të mbajtur në Republikën Demokratike të Kongos.

Turma të mëdha nisën të grumbulloheshin në kryeqytetin Kinshasa përpara agimit, përfshirë edhe nxënëse të veshura me të bardha që kërcenin përgjatë rrugës ku do të kalonte Papa. Në mënyrë që të mund ta ndiqnin sa më shumë njerëz, u shpall ditë pushimi, shkruan “BBC”.

Thuajse gjysma e popullsisë së Republikës Demokratike të Kongos është katolike dhe madje është komuniteti më i madh në Afrikë që i përket këtij besimi. Kishin kaluar më shumë se 37 vjet nga vizita e një Pape në këtë vend të pasur me minerale, por të zhytur në luftë. Një kor me 700 persona ishte mbledhur posaçërisht për ngjarjen.

Vizita e Papa Françeskut ishte planifikuar në Korrik të vitit të shkuar, por u shty për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ka patur thashetheme se kleriku i lartë nuk ka qenë aq kritik ndaj drejtimit politik të vendit në shkallën që ishte pritur, por mesha ishte një ngjarje e gëzueshme dhe Papa përcolli një mesazh të fortë për paqen ndaj palëve të përfshira në luftë.

Ai tha se palët duhet ta falin njëra-tjetrën dhe t’i garantojnë kundërshtarit “një amnisti të madhe të zemrës”. Kleriku vijoi me renditjen e përfitimeve të pastrimit të shpirtit nga “zemërimi dhe mëria, nga çdo gjurmë e kundërshtimit dhe armiqësisë”.

Mesha e së mërkurës u përshkrua si një nga më të mëdhatë të mbajtura nga Papa Françesku, e dyta në renditje pas asaj në Filipine në vitin 2015./tvklan.al

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!