Mehaj takon Abbott, flasin për mundësinë e mbështetjes financiare nga qeveria britanike

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott.

Në këtë takim është diskutuar rreth mundësisë së mbështetjes financiare nga qeveria britanike për projektet që planifikohet të realizohen në të ardhmen, njofton Klan Kosova.

“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë ka ofruar ndihmën e saj të pakursyer në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë, përmes ofrimit të trajnimit për ushtarët, shkollimit për oficer përkrah ushtrisë britanike dhe investimit në projekte të rëndësishme për Ministrinë e Mbrojtjes”.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi sot takova Ambasadorin e Britanisë, Nicholas Abott, me të cilin diskutuam rreth projekteve të cilat janë duke u realizuar dhe atyre që pritet të fillojnë, si dhe mundësisë së mbështetjes financiare nga qeveria britanike për projektet që planifikojmë t’i realizojmë në të ardhmen”.

“Mbesim të përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë me shtetet partnere me qëllim të ngritjes së infrastrukturës së nevojshme për ushtrinë e shtetit tonë”.

klankosova.tv