Ndërrimi i targave në NMK do të kushtojë nga 1.400 deri në 1.500 denarë

Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të parapara, parashihet gjobë prej 100 euro.

Qytetarët do të paguajnë nga 1.400 deri në 1.500 denarë për zëvendësimin e targave të automjeteve me të reja me shenjën NMK. Prej tyre, 200 denarë janë për leje të re për qarkullim, ndërsa 1200 ose 1300 denarë kushtojnë targat e reja, varësisht nga forma e tyre.

Pronarët e automjeteve me targa MK duhet t’i zëvendësojnë ato me të reja që nga data 12 shkurt 2024.

“Pronarët e automjeteve duhet të paraqesin kërkesë për ndërrimin e targave në stacionet e autorizuara të kontrollit teknik, ku në bazë të kërkesës në sportelin e MPB-së paraqitet kërkesa për ndryshim të targave dhe lëshohet leje e re qarkullimi nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe targa të reja me shpenzimet e pronarit të mjetit. Çmimi i lejes së komunikacionit është 200 denarë, kurse çmimi i tabelave është nga 1200 deri në 1300 denarë, varësisht nga forma e targës, njoftojnë nga MPB-ja.

Për të bërë ndryshimin, pronari duhet të paraqesë në sportel kartën e identitetit (nëse është kompani, atëherë gjendja aktuale nga Regjistri Qendror), lejen e qarkullimit dhe targat e vjetra. Pagesa, nga ana tjetër, mund të bëhet në bankë ose nëpërmjet një terminali POS në vend.

Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të parapara, parashihet gjobë prej 100 euro.

Obligimin për ndërrimin e targave me emërtimin e ri NMK e imponon neni 25 i Ligjit për automjete dhe neni 28 i Rregullores për formën dhe përmbajtjen e formularit për dhënien e targave.

Ndryshimet ligjore për ndryshimin e shenjës në targa erdhën si rezultat i Marrëveshjes së Prespës që vendi nënshkroi me Greqinë në qershor 2018.