Rreth dymijë pacientë në Ortopedi prej vitesh presin proteza gjuri (VIDEO)

Edhe pak ditë bëhen katër vjet prej kur Mejreme Morina nga Gjakova ka caktuar termin dhe po pret për ta ftuar Klinika e Ortopedisë në operim të gjurit të djathtë dhe vendosje të protezës.

76-vjeçare tha për Klan Kosova se tash e katër vjet nuk e ka kontaktuar askush nga klinika dhe se trajtimin e ka të pamundur në sektorin privat.

Ndonëse janë interesuar për këtë, por kostoja vetëm për njërin gju është 6 mijë euro ndërsa për të dy gjunjët 12 mijë euro.

Lista e pritjes për këto operacione veçse është thelluar, më 2022 janë shtuar edhe 300 pacientë në pritje, kësisoj afro 2 mijë sosh janë në listë të pritjes prej 2019 e tutje.

Drejtuesi i Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica, thekson se ende janë me pacientë të listës së vitit 2018 të cilën presin t’i përfundojnë brenda një muaji, për të vazhduar me pacientët e vitit 2019.

Ortopedi Jashanica shpjegon se pandemia i atribuoi gjithë kësaj, por tani edhe mungesa e theksuar e anesteziologëve, veç brenda javës realizohen 1-2 të tilla, ani se material tani ka.

Jashanica shpjegon se përkundër që është bërë mjaft zhurmë për këto lista madje edhe nga deputetë, zgjidhja nuk u bë dhe se për këtë situatë thotë se gjendet në një pozitë mjaftë të vështirë karshi pacientëve.

Përkundër që kjo klinikë është bërë me katër salla të reja operative, vetëm dy nga këto janë aktive për shkak se nuk ka anesteziologë, janë vetëm dy profesionistë të këtij profili dhe 33 ortopedë.