Për nder të 78-vjetorit të Radio Televizionit të Prishtinës, sot në kryeqytet u mbajt konferencë për media. Me këtë rast, u tha se RTP-ja ka qenë i vetmi institucion radioteleviziv evropian që i ka dhënë hapësirë të gjitha etnive të shprehen në gjuhët e veta.
Kryetari i Këshillit Grevist të Punëtorëve të Radiotelevizionit të Prishtinës, Qemajl Sokoli, u shpreh se si punëtorë të dëbuar, po kërkojnë kthimin në shtëpinë e tyre, që, siç u shpreh ai, pasurinë e së cilit po e shfrytëzojnë padrejtësisht të tjerët.
Ai deklaroi se deri në mbylljen e dhunshme të RTP-së nga forcat militante serbosllave, më 5 korrik të vitit 1990, RTP-ja ka qenë shtëpia radiotelevizive e te gjitha kombësive që kanë jetuar në Kosovë.
“Me programet cilësore informative, dokumentare, arsimore, kulturore, artistike, muzikore, propagandistike e të tjera në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome, RTP-ja, qe i vetmi institucion radioteleviziv evropian që i jepte hapësirë të gjitha etnive të shprehen në gjuhët e veta. Programet e vëllimshme radiotelevizive këtë shtëpi e ngrihen në më të madhen në Ballkan. Kurse, sajuesit përkushtues të saj, ishin jo vetëm regjistrues e dëshmitarë të ngjarjeve të kohës, por edhe promotorë të shumë ndodhive të tjera që e përcaktuan rrjedhën e historisë sonë, si “Java e marshit të madh” (1988),”Greva e minatorëve” (1989), etj. Ashtu që u bë sinonim i qëndresës kombëtare dhe fanar i ardhmërisë sonë”, tha Sokoli.
Sokoli tha se nga gjiri i RTP-së kanë dalë emrat legjendarë që na nderojnë si: Nexhmije Pagarusha, Zyhra Mula, Gjakush Capari, Petrit Dushi, Rexhai Surroi, Gjeto Leka, Besim Sahatçiu, Ekrem Kryeziu, Rudolf Sopi, Fahri Beqiri, Qamili i Vogël, Ismet Peja, Musa Piperku, Rasim Salihu, Sabri Fezullahu, etj., që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë tonë kulturo-artistike.
Ai kërkoi nga institucionet shtetërore që ta shpëtojnë pasurinë e tej çmuar arkivore, filmike e muzikore.
Ndërsa, redaktori i RTP-së, Enver Maloku, deklaroi se të gjithë punëtorët e RTP-së që pushteti okupues serb i ka nxjerrë me dhunë, pas luftës do të duhej që të ktheheshin në vendet e tyre të punës. Për mospunësimin e tyre, ai fajësoi të gjitha partitë politike të pasluftës.
Ndërkaq, redaktori përgjegjës i kulturës në RTP, Ramiz Bala, deklaroi se emrat e të gjithë udhëheqësve të RTP-së nuk duhet të harrohen kurrë.
Ai ndër të tjera, u shpreh se pa histori, pa kulturë dhe pa arsim, nuk ka përparim kombi ynë.
Radio Televizioni i Prishtinës, RTP ka qenë radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion ishte realizuar me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina kishte filluar punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj ishte transferuar në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës./Kosovapress