Të paktën 5000 të vdekur dhe mbi 24 mijë të plagosur nga tërmeti në Turqi e Siri – Klan Macedonia

Të dhënat janë në përditësim

■ Të paktën 5,034 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 24 mijë të tjerë janë plagosur nga tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.

 Me mijëra janë ndërtesat e shkatërruara. Shqetësuese paraqitet situata në veriperëndim të Sirisë, ku më shumë se 4 milion banorë mbeten në shpresë të ndihmave humanitare.

 Në Turqi numri i viktimave ka shkuar në 3,432 dhe më shumë se 21,103 të plagosur. 5775 ndërtesa në Turqi janë shkatërruar si pasojë e lëkundjeve të fuqishme sizmike.

 Ndërsa në Siri tërmeti ka shkaktuar 1,602 të vdekur dhe 3,649 të plagosur.

■ Nën rrënoja, në të dy shtetet, vijojnë kërkimet për të mbijetuar. Grupe ndërkombëtare ndihme nga shumë shtete janë nisur drejt Turqisë dhe Sirinë. Të paktën 2,769 personel nga 65 shtete ndodhen në zonat e prekura. Në operacione janë angazhuar në total rreth 26,000 persona.

Ora 15:30-Mbi 5 mijë viktima nga tërmeti në Turqi e Siri

Tmerri i tërmeteve nuk po ndalet në Turqinë juglindore. Pallatet e dëmtuar nga lëkundjet e fuqishme të së Hënës vazhdojë të bien nga pasgoditjet.

Bilanci i viktimave vijon të rëndohet me ritme të shpejta. Deri më tani numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri kapërceu 5 mijë, 3500 prej të cilëve në Turqi. Ndërsa mbi 22 mijë të tjerë janë të plagosur. Më shumë se 5,700 ndërtesa janë rrënuar.

Ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Operacionet nuk janë ndalur në asnjë moment.

Fati ishte me këta fëmijë që u shpëtuan pas 24 orësh nën rrënoja. Aq të gjera janë hapësirat e shkatërruara sa shumë trupa të pajetë dergjen ende rrugëve.

Të tjerë banorë presin me ankth të mësojnë për fatin e të afërmve të tyre nën rrënoja. Shumë të lënduar po kurohen rrugëve, pasi në spitalet turke dhe ato siriane nuk ka më vend.

Shumë banorë që e kaluan natën në temperatura disa gradë nën zero dhe në dëborë.

“Kemi mbetur pa shtëpi nën dëborë, s’kemi asgjë”, shprehet një banor.

“Kam dy nipër aty nën rrënoja. Si ajo ndërtesë ka me qindra”, thotë një tjetër.

Presidenti Erdogan tha se deri tani janë shpëtuar nga rrënojat 8 mijë persona.

Mediat turke raportojnë se deri më tani qendra e vullnetarëve ka marrë një numër të jashtëzakonshëm prej mbi 719 mijë aplikimesh nga njerëz që duan të japin kontributin e tyre në operacionet e shpëtimit në 10 qytetet e shkatërruara nga lëkundjet e tokës.

Në terren janë mbi 53 mijë anëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit. Megjithatë, aksesi drejt këtyre zonave është vështirësuar, pasi siç duket në këto pamje, shumë rrugë hyrëse tashmë nuk ekzistojnë.

Porti i Iskanderunit u përfshi nga një zjarr masiv, në zonën e kontejnerëve, si pasojë e lëkundjeve të tokës. Ankaraja shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 10 qytetet e prekura nga tërmeti, e cila do të zgjasë 3 muaj.

Tv Klan

Ora 13:16-Erdogan shpall gjendjen e emergjencës në zonat e prekura nga tërmeti

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shpallur gjendjen e emergjencës në zonat e prekura nga tërmeti. Erdogan tha se kjo gjendje do të qëndrojë në fuqi për 3 muaj, për 10 provincat.

Presidenti turk tha se tërmeti që goditi Turqinë mëngjesin e së hënës, duke i marrë jetën më shumë se 3 mijë personave deri më tani, ishte “fatkeqësia më e madhe” që kishte goditur ndonjëherë më parë vendin.

Rreth 54 mijë tenda dhe 102 mijë shtretër janë dërguar në rajonet e prekura, ndërsa në zonë kanë shkuar 5 mijë punonjës të shëndetësisë. Erdogan po ashtu tha se disa hotele në Antalia do të mirëpresin të mbijetuarit nga tërmeti.

Një ditë më parë, Turqia shpalli 7 ditë zie kombëtare.

Zonat e prekura në Turqi janë Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

Ora 12:59-Lutje për ndihmë nën rrënoja, ekipet e shpëtimit në luftë me kohën

Pamjet e operacioneve të shpëtimit të mijërave punonjësve që po luftojnë me kohën në Turqi e Siri janë të shumta. Shumë prej të mbijetuarve gjenden ende nën rrënoja, të pamundur për të dalë dhe të dëshpëruar për ndihmë. Një gazetar turk tha për BBC këtë të martë se disa prej tyre po u dërgojnë video gazetarëve, mesazhe zanore e madje edhe vendndodhjen aktuale (live locations) nën rrënoja.

Në operacionet e shpëtim kërkimit janë angazhuar të paktën 26 mijë persona, prej të cilëve 2,769 personel nga 65 shtete.

 

Në videon më lart janë pamjet e një fëmijëve që u arrit të nxirrej i gjallë këtë martë nga rrënojat në Adiyaman të Turqisë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 i mëngjesit të së hënës në Turqi e Siri i ka marrë jetën mbi 5 mijë personave. Me mijëra të tjerë janë plagosur ndërsa një numër i madh ndërtesash janë shembur.

Ora 12:34-“Zoti është i madh”, momenti rrëqethës kur vogëlushja nxirret nga rrënojat

“Zoti është i madh”. Me këto fjalë, ekipet e shpëtimit në Siri nxjerrin të gjallë këtë vogëlushe nga rrënojat, në Jindires. Me një fytyrë qartësisht të tronditur, ajo është e mbuluar nga pluhuri, ndërsa trupin e ka të zhytur nën rrënojat e ndërtesës së shembur.

 

 

Por fatmirësisht, ashtu siç raporton dhe Reuters, ajo nuk kishte pësuar dëmtime të rënda. Në video shihet teksa një prej shpëtimtarëve gërmon me duar derisa arrin që ta nxjerrë fëmijën jashtë.

Ekipet e shpëtim-kërkimit në Siri e Turqi vijojnë të punojnë intenvisisht për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur, pas tërmetit vdekjeprurës të mëngjesit të së hënës.

Ora 11:52Tërmeti, arratisen nga burgu 20 xhihadistë

Të paktën 20 xhihadistë raportohet se janë arratisur nga një burg në Siri, pas tërmetit vdekjeprurës të mëngjesit të së hënës. Sipas asaj që shkruan BBC, të burgosurit u arratisën pasi tërmeti dëmtoi ndërtesën e vuajtjes së dënimit.

Burgu ndodhet në qytetin e Rajo, pranë kufirit më Turqinë. Në të vuanin dënimin rreth 2 mijë persona, prej të cilëve 1,300 të dyshuar si luftëtarë të të ashtuquajturit Shteti Islamik. Në këtë burg ndodhen po ashtu luftëtarë të forcave të drejtuara nga kurdët.

Tërmeti me magnitudë 7.8, që u pasua nga qindra pasgoditje, shkaktoi dëme në burgun në fjalë, duke çarë muret e dyert. Kaq mjaftoi për të burgosurit që të merrnin kontrollin e disa pjesëve të burgut, ndërsa të paktën 20 prej tyre arritën që të largoheshin.

Ora 11:15Futbollisti nxirret i gjallë nga rrënojat

Christian Atsu, futbollisti i skuadrës turke Hatayspor, është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e ndërtesës së rrëzuar për shkak të tërmetit shkatërrimtar në Turqi.

Ish-sulmuesi i Newcastle dhe Chelsea u raportua i bllokuar nën rrënojat e një ndërtese ditën e djeshme.

Atsu luan për skuadrën turke Hatayspor në qytetin Antakya, një nga më të goditurit nga tërmeti i djeshëm me magnitudë 7.8.

Futbollisti Christian Atsu u nxorr nga rrënojat me lëndime. Ndërsa drejtori sportiv i ekipit është ende i bllokuar.

Ora 10:58Mbërrin në Turqi skuadra e kërkim-shpëtimit dhe e ndihmës shëndetësore nga Shqipëria

 

Skuadra shqiptare e kërkim-shpëtimit dhe e ndihmës shëndetësore ka mbërritur në Turqi. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili përcolli këtë foto disa minuta pas zbritjes.

“Mbërriti në Turqi skuadra e kërkim-shpëtimit dhe e ndihmës shëndetësore e dërguar nga shteti shqiptar”, shkruajti Rama në rrjetet sociale.

Skuadra përbëhet nga një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe 7 mjete.

Grupi shqiptar i bashkohet kështu ndihmës ndërkombëtare për Turqinë, pas tërmetit shkatërrues të mëngjesit të së hënës, që deri më tani i ka marrë jetën mijëra personave.

Ora 09:57-Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Siri

Më shumë se 1500 persona dyshohet të kenë humbur jetën në Siri, në të dyja zonat, si ato që kontrollohen nga qeveria ashtu edhe në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, situata politike në Siri e bën të vështirë për zyrtarët që të përllogarisin saktësisht numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, apo dhe dëmet nga tërmeti i së hënës në mëngjes.

Shifrat ndryshojnë nga momenti në moment, teksa grupet e kërkim shpëtimit vijojnë punën në terren, në përpjekje për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Ndërkohë, më herët zyrtarët turq thanë se numri i viktimave ka shkuar në 3,381, ndërsa më shumë se 15 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ora 08:48-Bota në solidaritet për të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri

E gjithë bota është vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë Turqisë dhe Sirisë të cilat u goditën nga tërmeti vdekjeprurës. Shpëtimtarët ndërkombëtarë mbërritën në aeroportin e Adanas në Turqinë jugore, një ditë pasi një tërmet me magnitudë 7.8 shkatërroi vendin dhe Sirinë fqinje. Pamjet video të Reuters treguan shpëtimtarë nga Serbia, Gjermania, Rumania dhe Spanja që mbërrinin me pajisje dhe qentë e shpëtimit pranë tyre të gatshëm për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve.

Moti i ftohtë ka përkeqësuar më shumë situatën në vend si dhe operacionet e kërkim-shpëtimit. Tërmeti rrëzoi blloqe të tëra apartamentesh në qytetet turke ndërsa në Sirinë e përfshirë në lufta situata mbetet edhe më e rëndë.

Ekipi i parë i ndihmës civile të Kinës u nis për në Turqi ku do të punojë në zonat më të goditura dhe pritet të mbërrijë në vend të mërkurën. Ai përbëhet nga tetë ekspertë të shpëtimit nga tërmeti me përvojë të pasur në operacionet ndërkombëtare të shpëtimit të shoqëruar me pajisje të avancuara detektorë, mjete shpëtimi dhe një qen kërkimi.

Gjithashtu edhe më shumë se 140 personel nga marina, ushtria dhe Kryqi i Kuq u nisën me një avion ushtarak nga bazën ajrore ushtarake Santa Lucia, në periferi të Mexico City. Avioni do të dërgojë gjithashtu ndihma humanitare dhe qen kërkim-shpëtim për të ndihmuar në mision. Ndërkaq dy ekipe nga Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive të Indisë, e përbërë nga rreth 100 personel, hipën në një avion teksa do të dërgojnë materiale dhe pajisje emergjente. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit përgatitën ndihma për t’u dërguar në Turqi.

Ndërkaq edhe qeveria e Australisë dhe e Zelandës së Re u zotuan të ofrojnë ndihmë humanitare rajonet e goditura nga tërmeti. Pavarësisht tensioneve të larta politike të viteve të fundit, Greqia ishte ndër vendet e para që nisi drejt Turqisë një kontigjent prej 21 trupash të ekipeve të emergjencës dhe mjete logjistike për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit.

I gatshëm për të ndihmuar vendin mik që ka ndërmjetësuar për uljen e tensioneve me Rusinë, u shpreh edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy. 4 avionë me ndihma për trupat e emergjencës dërgoi Rusia, ku përfshihen një ekip prej 40 ekspertësh dhe 7 ekipe qensh për zbulimin e trupave nën rrënoja. Edhe qeveria shqiptare nisi drejt Turqisë një mision kërkim shpëtimi për t’u ardhur në ndihmë operacioneve që po kryhen pas tërmetit shkatërrimtar.

Ora 08:48Britma të dëshpëruara nën rrënoja gjatë natës

 

 

Ndërsa ra nata në provincën Hatay të Turqisë, vendasit të përlotur gërmojnë me ankth vendin e një ndërtese të shembur, duke u përpjekur të dëgjojnë ndonjë shenjë jete dhe zërat e të dashurve të tyre të bllokuar nën grumbuj mbeturinash dhe rrënojash. Ndërsa një burrë tregon një trup të pajetë të shtrirë në rrënojat, dëgjohen britmat e dëshpëruara të një gruaje nga poshtë ndërtesës së shkatërruar, duke goditur metalin për të tërhequr vëmendjen se ku ishte bllokuar.

Pak metra më tutje, një tjetër banor i Hatajit, Deniz, qan teksa tregon ndërtesën e shembur ku nëna dhe babai i tij ishin bllokuar poshtë, në pritje të punonjësve të urgjencës.

“I dëgjova. Ata po thërrasin duke kërkuar ndihmë. Ata kërkuan të shpëtoheshin. Nuk mund t’i shpëtojmë dot. Si mund t’i shpëtojmë? Askush nuk ka ardhur që nga mëngjesi.”

Një burrë që duhej të udhëtonte nga kryeqyteti Ankara, arriti të nxjerrë vetë një grua nga rrënojat.

“Kjo është një jetë njerëzore. Çfarë mund të bësh kur dëgjon një zë jete?”, tha ai.

Më shumë se 1200 ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti vetëm në provincën Hatay, me të paktën 520 të vdekur në zonë, tha ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca. Dhjetëra njerëz janë ende të pagjetur. Provinca jugore Hatay e Turqisë ndodhet disa qindra metra larg kufirit sirian dhe strehon më shumë se 400,000 sirianë sipas numrave të publikuar nga Ministria e Brendshme turke.

REDAKSIA TVKLAN.AL

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!