Analistët: “Fronti për Europë” si mburojë ndaj rrymave anti-evropiane

Agjentura të huaja, me përkrahje të Serbisë dhe forcave tjera pro-ruse, duan konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor në favor të Rusisë. Kështu vlerëson ish-deputeti Zudi Xhelili në një prononcim për Indeks.mk, duke komentuar idenë e krijimit të “Frontit për Europë” si mburojë nga ndikmet e rrymave të ndryshme anti-evropiane, që tentojnë ta pengojnë rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian (BE).

“Agjentura të huaja me përkrahje të Serbisë dhe forcave tjera pro-ruse duan konflikte të reja në favor të Rusisë. Prandaj si duket është vështirë të kuptohet gjuha diplomatike dhe mesazhet që përcjellin faktorët ndërkombëtarë. Andaj, për shkaqe gjeopolitike në Maqedoninë e Veriut duhet stabilitet dhe kompromis i gjerë politik. Në momente historike duhet të merren vendime historike në dobi të popullit, siç bëhet ‘Fronti për Europë”. Ndryshimet kushtetuese patjetër të arrihen, kthim prapa s’ka”, deklaroi Xhelili për Indeks.mk.

Në anën tjetër, politikologu Blagojçe Atanasoski vlerëson se me hyrjen e ASH-së në Qeveri “Fronti për Euopë”, po merr formë.

“Trazirat në skenën politike maqedonase, me hyrjen gjithnjë e më të sigurt të Aleancës së Shqiptarëve në pushtet, po shkojnë në drejtim të formimit të të ashtuquajturit “Front pro-evropian” si uvertirë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Megjithatë, do të jetë pak më e vështirë për partitë politike shqiptare, po ashtu edhe për LSDM-në dhe partnerët më të vegjël të koalicionit, që të bëjnë një listë të përbashkët, sepse do të ketë problem me hartimin e listave parlamentare me të ashtuquajturat pozita fituese. Mirëpo, kjo politikë shkon në drejtim të polarizimit të skenës politike maqedonase në dy fronte: pro-evropiane dhe pjesa tjetër (VMRO-DPMNE, Lëvizja BESA dhe Levica), të cilat do të anatemohen si parti antievropiane, madje edhe pro-ruse, pra, si parti që punojnë kundër agjendës evropiane të Maqedonisë”, deklaroi Atansoski për Indeks.mk