Sali Berisha mirëpret planin franko-gjerman, por ka dy kërkesa themelore

Sali Berisha ka dhënë idenë e tij mbi planin franko-gjerman, plan që ka tensionuar skenën politike në Kosovë dhe Serbi. Gjatë një takimi me ish-ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, Berisha tha se një marrëveshje e mirë që e respekton Kushtetutën është interesi i Kosovës.

Berisha vlerëson se plani franko-gjerman duket sikur parashtron një zgjidhje të mirëpritur për Kosovën, por edhe rajonin: “Po ky plan duhet të parashikojë heqjen nga Kushtetuta e Serbisë të Preambulës ultranacionaliste që përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”.

Por, nuk është vetëm kjo jetike, sipas Sali Berishës, i cili thekson se Asociacioni që nuk duhet kundërshtuar është ai që përputhet me Kushtetutën e Kosovës. I tillë (kushtetues) është ai që nuk njeh kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe: “Sikundër një Asociacion që krijon struktura me fuqi ekzekutive është i rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë rajonin në të cilin minoritetet janë të pranishme dhe më numerike se sa pakica serbe në Kosovë. Nuk duhet harruar kurrë se “baruti” i fuçisë së rajonit tonë është ultranacionalizmi i verbër serb”.

Ata ranë dakord që Ballkani nuk mund t’i lejojë vetes kurrsesi një “Republika Srpska” të dytë dhe se përballë spirales të ultranacionalizmit serb, faktori shqiptar duhet të jetë sa më i bashkuar.

Berisha shtoi se ekspansioni serb nisi me projektet e korrigjimit të kufijve e më pas me Ballkanin e Hapur, projekte për të cilat Berisha bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për marrëveshje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. /a2news