Takimi vjetor me ambasadorët e vendeve të BE-së, Grubi: Ndryshimet kushtetuese, nevojë imediate

Është mbajtur sot seanca e rregullt vjetore me ambasadorët e akredituar të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi i cili ishte pjesëmarrës në këtë seancë ka dhënë sqarime të detajuara për opinion rreth temave të diskutuara. Grubi mes tjerash shkruan se duhet ruajtur madje dhe përforcuar marrëdhëniet ndërfqinjësore si dhe të bëhet dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese.

“Bashkë me Kryeministrin Kovaçevski, zëvendëskryeministrat Mariçiq, Bytyqi dhe Grkovska, ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mbajtëm seancën e rregullt vjetore me ambasadorët e akredituar të Bashkimit Europian në vendin tonë. Rekapitulimi objektiv i progresit të shënuar të vendit në procesin e integrimit dhe realizimit të reformave, si dhe përkrahja europiane për vazhdimin e vendimmarrjes progresive në drejtim të avancimit të objektivave strategjike të zhvillimit ishin temat kryesore të diskutimit të sotëm. Bashkë bëjmë thirrje për unitet në procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ruajtjen e stabilitetit politik dhe përforcimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore për të përshpejtuar hapin drejt Europës” – ka shkruar Grubi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.