Xhaferi: Nëse dorëzohet propozim, seanca për rikonstruimin e qeverisë mund të mbahet të hënën

“Seanca për rikonstruimin e Qeverisë mund të caktohet për të hënën, nëse gjatë ditës së sotme ose nesër kryeministri Dimitar Kovaçevski në Kuvend dorëzon propozim për kabinetin e ri qeveritar”.

Këtë e tha kryetari i Kuvendit të RMV-së Talat Xhaferi, në lidhje me përbërjen e re qeveritare.

“E kam njoftuar kryeministrin Kovaçevski për procedurën për seancën e rikonstruimit të Qeverisë pas dorëzimit të propozimit, në mënyrë që të koordinohemi. Nëse Kovaçevski si propozues e paraqet propozimin sot ose nesër, pikën për rikonstruimin e Qeverisë mund ta vendos në seancën e Kuvendit të paraparë për të hënën më 13 shkurt, ose mund të caktoj seancë të re në të njëjtën ditë”, tha Xhaferi.

Ndryshe, kjo do të jetë rikonstruimi i parë i Qeverisë së udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski. Ndryshimi në qeveri vjen pasi në negociatat me Aleancën për Shqiptarët u arrit marrëveshje për hyrjen e partisë opozitare në qeveri. Aleanca hyn në qeverinë e Kovaçevskit me dy pozita ministrore dhe një zëvendëskryeministër, me dy pozita zëvendësministrore dhe sekretar shtetëror, si dhe me disa pozita drejtorësh.