103 vjet kryeqytet, Veliaj: Sot Tirana është në ditët e saj më të mira

Tirana e transformuar në 103-vjetorin e shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë ishte tema e radhës e rubrikës javore të komunikimit me qytetarët të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në videomesazhin e tij, Veliaj uroi të gjithë kryeqytetasit për këtë përvjetor, teksa tha se sot Tirana po kalon ditët e saj më të mira.

“Sa herë vjen 11 shkurti dhe ne festojmë përvjetorin e Tiranës kryeqytet ndihem jashtëzakonisht krenar, jo vetëm se jam pjesë e këtij kryeqyteti, kam lindur, jam rritur këtu, por se prej gati 8 vjetësh, së bashku me një skuadër fantastike, i përkushtohemi çdo ditë, me shumë pasion, zhvillimit dhe transformimit të Tiranës sonë, e cila çdo ditë ka sfida, por çdo ditë sjell mundësi të jashtëzakonshme! Kush nuk do të ndihej kështu, në një kryeqytet si ky i yni, që kemi sot, i cili po kalon ditët më të mira, që nga koha e ekzistencës së tij”, tha Veliaj.

Veliaj tha se për të ardhur deri këtu është punuar shumë për të çrrënjosur ditët e zymta të Tiranës kaotike të viteve ‘90.

“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, sidomos pas rënies së komunizmit, fatkeqësisht, Tirana ka pasur ditët e saj të errëta, kur punët nuk i kanë shkuar edhe aq mirë ose i ka ngecur sahati në vend. Këtu kam parasysh ditët e kioskëzimit, ndërtimeve pa leje, zaptimit, rrëmujës, trafikut dhe zhulit. Një Tiranë që askush nuk ndihet krenar kur e kujtojnë dhe po punojmë çdo ditë që t’i harrojmë ato ditë të errëta të Tiranës së tranzicionit”, tha ai./TCh

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.