MPJD: Nuk ka asnjë shtetas të Kosovës të vdekur në Turqi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se në mesin e viktimave nga tërmeti që ka goditur Turqinë nuk ka asnjë shtetas kosovar.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara që nga data 6 shkurt kur ka ndodhur tërmeti ka pasur kontakte të vazhdueshme me shtetas/qytetarë të Kosovës që jetojnë apo veprojnë në Turqi dhe ata janë asistuar nga ambasada për çfarëdo nevoje që kanë pasur, qoftë për transport, qoftë sigurim të fletudhëtimeve për tu kthyer në Kosovë”.

Në lidhje me deklarimin e Evren Kayas, kjo ministri ka thënë se bëhet fjalë për persona që kanë shtetësi turke, dhe që janë me preardhje të vjetër shqiptare, njofton Klankosova.tv.

“Për sa i përket deklarimeve publike të z. Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve, ju njoftojmë se bëhet fjalë për familje/persona,  që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare”.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, në vijim të komunikimeve me diasporën tonë në Turqi, përfshirë edhe me persona që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, ka kontaktuar dhe ka biseduar edhe me z. Kaya, gjatë javës së kaluar, i cili  ka informuar se ai dhe familja e tij janë mirë dhe nuk kanë pësuar lëndime”.