Sonte në Tring/ Champions rikthehet me supersfidat PSG-Bayern dhe Milan-Tottenham

Rikthehen emocionet e kompeticionit më të bukur të klubeve ne botë, Uefa Champions League. Sonte në Tring transmetohen dy takimet e mbrëmjes ora 21:00, PSG vs Bayern dhe Milan-Tottenham.

 

Vëmendja kryesore është e përqendruar tek dueli i Parisit, aty ku të zotët ë shtëpisë sfidojnë bavarezet në një duel mes favoritesh të mëdhenj për fitoren finale. Francezët i shqetëson forma jo shumë e mirë në kampionat, ku së fundmi u mundën 3 me 1 nga Monaco.

 

Dhe më shumë sesa kaq, teknikun Gotie e ka bërë me dhimbje koke mungesa në këtë supersfidë e Kilian Mbape, i cili ndonëse është kthyer në stërvitje nuk do të rrezikohet sonte. Të tjera mungesa janë Mukiele dhe Renato Sancez, ndërsa Fabian Ruiz është në dyshim.

 

PSG mund të mbështetet tek rikthimi i Messit dhe Verratit që munguan në kampionat.

 

Probleme edhe tek gjermanët, pasi tekniku Nagelsman nuk ka në dispozicion portierin Nojer dhe Gravernbershm, Mazraui, Lukas Hernandez dhe Sadio Mane. Rikthim i rëndësishëm, ai i Kimish që do të luajë në mesfushë në krah të Goreckes.