Persona të armatosur bastisin spitalin ku ndodhet Aya, vogëlushja që bëri për vete botën – Klan Macedonia

Persona të armatosur bastisën një spital në veri të Sirisë, aty ku ndodhet vajza e vogël që lindi nën rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar nga tërmeti. Sipas asaj që shkruan The Independent, lajmi u konfirmua nga një zyrtar i spitalit i cili shtoi se autorët dhunuan drejtorin e spitalit.

Zyrtari mohoi raportimet në rrjetet sociale sipas së cilave sulmi që ndodhi gjatë natës ishte një përpjekje për të rrëmbyer beben e quajtur Aya. Vogëlushja ndodhet në spital disa orë pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 Shkurt.

Nëna e Aya-s (në arabisht, shenjë nga Zoti) vdiq pasi solli në jetë vajzën. Kur u gjet ajo e kishte ende në trup kordonin e kërthizës… Babai i saj dhe 4 vëllezërit e motrat mbetën po ashtu të vrarë nga lëkundjet.

Zyrtari, i cili foli në kushtet e anonimitetit nga frika, tha se drejtori i spitali kishte dyshuar se një infermier i cili po i bënte foto Aya-s po planifikonte ta rrëmbente atë, ndaj dhe e dëboi nga spitali. Infermieri u rikthye disa orë më vonë, i shoqëruar nga persona të armatosur që rrahën drejtorin. Bashkëshortja e këtij të fundit po ushqente me qumësht gjiri Aya-n.

Kur mbërritën në spital, personat e armatosur u thanë oficerëve që po mbronin vajzën se ishin pas drejtorit të spitalit, pasi kishte pushuar nga puna shokun e tyre. Ata thanë se nuk ishin të interesuar për Aya-n, rrëfeu më tej zyrtari.

Mësohet se përgjatë ditëve të fundit shumë njerëz ishin paraqitur në spital duke u hequr si të afërm të Aya-s, gjë që detyroi autoritetet të vendosnin oficerë policie për ta ruajtur.

Xhaxhai i saj, Saleh al-Badran tha se vajza do të jetë në gjendje për t’u larguar nga spitali gjatë këtyre ditëve. Ai tha se do të jetë halla, e cila i mbijetoi tërmetit dhe ka sjellë së fundmi një fëmijë në jetë, që do ta rrisë Aya-n.

Punonjësit e shpëtimit në qytetin verior sirian të Jinderis e zbuluan vajzën e porsalindur me flokë të zeza më shumë se 10 orë nga rënia e tërmetit teksa po kërkonin nën rrënojat e një pallati 5 katësh ku jetonte familja e saj. E bllokuar nën beton, bebja ishte ende e lidhur me kordonin e kërthizës me nënën e saj Afraa Abu Hadiya. Bebja u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt në Afrin, ku dhe ndodhet aktualisht.

Pamjet e operacionit të shpëtimit të saj tërhoqën vëmendjen e mediave botërore në ditën e parë të nisjes së operacioneve të shpëtimit. Pak ditë më pas në media u raportua se me mijëra njerëz brenda dhe jashtë vendit ishin ofruar ta birësonin./tvklan.al