Rasti “Ivanoviq”, të akuzuarit lirohen nga masat e sigurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë iu ka ndërprerë të gjitha masat e sigurisë të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Lirimin e të akuzuarve Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, avokati i të akuzurës Arsoviq, Musa Damati.

“Po, e kemi pranu, sot e kemi pranu aktvendimin e veçantë të Gjykatës Themelore, Departamenti Special në Prishtinë, në bazë të cilës është bërë ndërprerja e të gjitha masave të sigurimit të prezencës së të akuzuarve për të gjithë të akuzuarit”, ka thënë avokati Damati, përcjell Klankosova.tv.

Sipas avokatit Damati, të gjithë të akuzuarit kanë qenë nën masën e paraqitjes në stacionin policor.

Seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 11 shkurt në vitin 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 prill të njëjtit vit, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

 

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.