Këtë të mërkurë, Parlamenti Studentor organizoi një marsh paqësor me thirrje kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në lidhje me këtë, në Edicioni Special në Klan Kosova, foli deputeti i këtij parlamenti, Kledi Kabashi, për të cilin pjesëmarrja në marsh ishte e kënaqshme.
Ai tha se marshin e organizuan, pasi sipas tij, po cenohet integriteti i territorit të Kosovës teksa shtoi se ishte i domosdoshëm organizimi i një marshi nga Parlamenti Studentor, duke kundërshtuar një asociacion, të cilin ai e quajti mono-etnik.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe së pari s’e ka kaluar testin e Kushtetueses, e duke pasur parasysh përvojat nga e kaluara në rajon kemi pa që asociacioni mono-etnik shpie në ndasi, e ndasia mund të shpie në luftë”, është shprehur Kabashi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se menjëherë pas eventit për marsh, të nesërmen i kanë bërë ftesë të gjitha partive politike që të jenë pjesë e tij, teksa shtoi se “kjo nuk është protestë partiake, e nuk ka mbështetje partiake nga askush”.
“Më 2 shkurt, Parlamenti Studentor ka shpërndarë eventin për këtë marsh. Menjëherë të nesërmen, ftesa i është bërë të gjitha partive politike, shoqërisë civile, organizatave të dala nga lufta, pra është bërë për të gjithë qytetarët, pa ndasi etnike e pa ndasi partiake”, tha ai, njofton Klankosova.tv.