10 ditë nën rrënoja të tërmetit, shpëton 17-vjeçarja në Turqi – Klan Macedonia

Një vajzë adoleshente është shpëtuar 10 ditë pas tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar që goditi Turqinë dhe Sirinë. 17-vjeçarja, Aleyna Olmez u nxor nga rrënojat në Kahramanmaraş, një qytet jugor pranë epiqendrës së tërmetit në Turqi.

Aleyna mbijetoi, por ishte e lënduar pasi kishte qëndruar nën rrënoja në kushte të motit të ftohtë, për plot 10 ditë. Xhaxhai i saj i përlotur u tha shpëtimtarëve “nuk do t’ju harrojmë kurrë”, ndërsa i përqafoi një nga një ekipet e kërkim-shpëtimit.

“Ajo dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo hapi dhe mbylli sytë”, tha për Agjencinë e Lajmeve AFP Ali Akdogan, një minator qymyri që mori pjesë në shpëtim.

“Kemi një javë që punojmë këtu në këtë ndërtesë… jemi të lumtur sa herë që gjejmë një gjë të gjallë – qoftë edhe një mace”, shtoi ai.

Më shumë se 41,000 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Sirinë fqinje si pasojë e tërmetit me magnitudë 7.8 ballë./tvklan.al