Sot shpallet konkursi për muzeun “Besa”, që i kushton rëndësi historisë së shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përshëndeti hapjen e këtij konkursi, duke e vlerësuar si një tjetër moment shumë të rëndësishëm për historinë, zhvillimin urbanistik dhe për arkitekturën e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se ky muze nuk do të ekspozojë vetëm imazhe filmike, por do të jetë një destinacion për të gjithë atë që duan të informohen më shumë mbi këtë çështje dhe për kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë shqiptarët për hebrenjtë në një kohë të vështirë për ta.
“Por nëse në rastin e Vlorës kemi një muze të hebrenjve ose më saktë të kësaj historie të shpëtimit hebre, këtu kemi ambicien që të shkojmë përtej, pra të kemi një vepër arkitektonike të kombinuar mes kësaj shtëpie tradicionale, një monument kulture në rrezik që i shtohet listës së monumenteve të shpëtuara të kulturës që është një listë shumë e gjatë dhe një hapësirë moderne që do ta konceptojnë arkitektë, e cila do të shërbejë si një hapësirë e kulturës, e traditës, e historisë, e artit, e librit hebraik dhe që për të cilën kemi nisur bisedimet me qeverinë e Izraelit”.
“Një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me këtë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve, por edhe për të rinjtë, edhe për punëtorët e mendjes në të gjitha fushat që kanë dëshirë të njihen nga afër me zhvillimet dhe po ashtu me momente të caktuara të historisë së shtetit të Izraelit”, tha Rama.
Konkursi do të zhvillohet në dy faza: në fazën e parë të aplikimit, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipeve, kualifikimet, metodologjinë e punës dhe vizionin për sitin, duke përfshirë një koncept paraprak. Në fund të kësaj faze, juria do të përzgjedhë pesë skuadrat dhe konceptet më të mira, të cilët do të mund të vazhdojnë punën për fazën e dytë.
Në fazën e dytë, juria do të shqyrtojë propozimet e pesë ekipeve të përzgjedhura dhe do të zgjedhë propozimin fitues. Juria e konkursit do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ekspertë vendas dhe të huaj me përvojë në fushën e arkitekturës, muzealizimit, kurimit të ekspozitave etj. /abcnews