Rita Ora uron 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një video-mesazh

Ylli ndërkombëtar i muzikës me origjinë nga Kosova, Rita Ora, ka bërë një urim për shqiptarët e Kosovës me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Në një video-mesazh për transmetuesin publik të Kosovës, Rita nuk nguroi të shprehte edhe një herë mirënjohjen për bashkëkombësit e saj, që e mbështetën gjithmonë në rrugën drejt suksesit.

“Përshëndetje RTK, jam Rita Ora. Do të mund të flisja pa u ndalur për rrugëtimin tim me njerëzit e mi në Kosovë. Urime Pavarësia Kosovë dhe faleminderit për të gjitha këto vite krenarie dhe mbështetjeje”, thotë ndër të tjerash Rita Ora.

Video-mesazhi i plotë i këngëtares shqiptare do të transmetohet i plotë në koncertin festiv të RTK-së me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, të titulluar “Rrno për me tregue”.

Rita Ora përndryshe ka qenë e para këngëtare shqiptare nga Kosova e cila ka depërtuar në tregun e huaj të muzikës.

Ajo gjithashtu mbetet shqiptarja e vetme me renome botërore që i ka dedikuar këngë vendit të saj në vitin 2012, të titulluar “Shine Ya Light”.

Rita Ora në xhirimet e klipit “Shine Ya Light” në Prishtinë, në vitin 2012 (Foto: JJ/Bauer-Griffin/GC Images)

Ora ishte e ftuar speciale në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës pesë vite më parë, në një koncert gjigant dhe të paharruar që mbajti para popullit shqiptar në Prishtinë.

Rita Ora në koncertin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë (Foto: Armend NIMANI (Photo credit should read ARMEND NIMANI/AFP via Getty Images)

Që nga viti 2015, me dekret të presidentes së atëhershme të vendit, Atifete Jahjaga, Rita ora është shpallur ambasadore nderi e shtetit të Kosovës.