Vazhdon seanca e Parlamentit për rikonstruimin e Qeverisë

Parlamenti sot duhet ta vazhdojë seancën e 104-të me debat për propozimin për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informative dhe Administratës, Admirim Aliti.

Debati filloi të premten, pasi të enjten në mbrëmje përfundoi debati për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali. Votimi për shkarkimin e ministrit Sali duhet të caktohet në mënyrë shtesë, ndërsa nuk është mbajtur pasi nuk ka pasur numër të mjaftuehsëm të deputetëve në sallën e Parlamentit.

Krahas shkarkimeve të Bekim Sali dhe Admirim Alitit, në rend të ditës së seancës së 104 janë edhe shkarkimi i ministrit pa resor të obliguar për Diasporë, Xhemail Çupi, si dhe emërimet e Fatmir Mexhitit për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliut për ministër të Shoqërisë Informative, Krenar Logës për ministër të Drejtësisë dhe Kaja Shukova për ministre të Ambientit Jetësor.