Mustafi: Nuk ka vendim gjykate, ministër e prokuror që mund të na ndalojë (VIDEO)

Gjykata e Vranjës në Serbi ka dënuar për kundërvajtje kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafin, si dhe institucionin që ai e kryeson, pas ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor të vitit të kaluar, për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Mustafi u shpreh se kjo është hera e tretë që ai dhe institucioni marrin dënime të tilla.

“Kjo është kundërvajtje, zakonisht është me para. Me lejo te theksoj që ka pasur gjykatës që e kanë përjashtuar veten nga ky proces. Kjo është hera e tretë, ndërsa hera e katërt rrezikon që të kalojë në një padi madje penale dhe jo e kundërvajtjes. Dënimet për institucionet janë zakonisht nga 1.000–5.000 euro, ndërsa për personat fizikë kap vlerën deri në 1.000 euro”, sqaroi Mustafi për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova.

Ai po ashtu shtoi se në dy rastet e kaluara ka refuzuar vendimin e gjykatës, por përmes përmbaruesve shteti serb e kishte ekzekutuar vendimin.

Sipas Mustafit, pavarësisht dënimeve që mund t’i vijnë shqiptarëve, për të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptarë dhe konsiderojnë që do të duhet të kultivohej e mbrojnë identitetin kombëtar, nuk ka vendim gjykate e ministër e prokuror që mund t’i ndalojë.

“Nuk e besoj që edhe në të ardhmen mund të na ndalojnë sepse është e rëndësisë së veçantë që shqiptarët e Luginës së Preshevës në vazhdimësi të potencojnë identitetin e tyre, edhe pse ka një qasje armiqësore të Republikës se Serbisë karshi shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, përfundoi ai.

Gjykata e Vranjës dënon Mustafin për ngritjen e flamurit shqiptar, më 28 nëntor 2021

 

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.