Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj është takuar me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.
Pas takimit ata janë deklaruar për disa nga temat e diskutimit mes tyre.
Presidenti i Begaj gjatë fjalimit të tij ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg.
Fjalimin e tij, Begaj e ka nisur me vlerësimin e punës të Aleancës gjatë vitit të fundit me përballimin e agresionit rus në Ukrainë.
“Situata aktuale e bën të domosdoshme që rendi i qetësisë dhe i paqes ndërkombëtare të jetë fokusi ynë. Për këtë arsye, zgjerimi i Aleancës është detyrim, ndaj, anëtarësimi i Suedisë dhe i Finlandës janë të mirëpritura dhe të domosdoshme”, tha Begaj, shkruan Klankosova.tv.
Ai theksoi se Shqipëria së bashku me partnerët e NATO-s, arriti të rikuperohet nga sulmi i Iranit.
“Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe NATO-n, arriti ta ndërpresë dhe të rikuperohet nga ky sulm, si edhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve digjitale dhe mbrojtëse kibernetike. Bashkëpunimi me NATO-n në këtë drejtim vlerësohet maksimalisht”, thotë presidenti shqiptar. Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, Shqipëria përshëndet nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të NATO-s me BE-në duke vlerësuar rolin e partneritetit strategjik të BE-së në mbrojtje të vlerave euro-atlantike.
Mes tjerash, presidenti Begaj shpjegoi se ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 1.86 përqubd të produktit të brendshëm bruto për modernizimin e ushtrisë.
“Parashikojmë që vitin e ardhshëm të arrijmë nivelin 2%. Ndërkohë, Shqipëria do të vijojë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe pajisjen me kapacitete të reja luftimi, mbështetjes me luftim dhe kapacitete logjistike. Qeveria shqiptare ka shprehur ambicien, ka paraqitur projektin dhe mirëpret një prezencë detare të NATO-s në portin e ri në Porto Romano”, tha Begaj.
Ai beson se samite i Vilniusit do të të jetë një tjetër sukses.
“Jam besimplotë se Samiti i Vilniusit do jetë një tjetër sukses dhe do të materializojë vendimet e mëdha të Samitit të Madridit”, shpreson Begaj. /Klankosova.tv/
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
