Pas vetëm një sezoni, Rafinha mund të largohet nga Barcelona

Rafinha (26) erdhi në Barcelonë nga Leeds për 58 milionë euro në verën e vitit 2022, pra para fillimit të sezonit aktual dhe tashmë ka zëra se ai do të braktisë klubin. “Sport”, e përditshmja spanjolle raporton se presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka deklaruar se klubi do të duhet të shesë disa lojtarë.

“Sport” pretendon se plani është largimi i lojtarëve më pak të rëndësishëm. Megjithatë, Rafinha ka vlerën më të lartë në treg, ndërsa Chelsea dhe Newcastle raportohet se janë të interesuar për të.

Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2027 dhe është një lojtar i rëndësishëm në skuadrën e trajnerit Xavi Hernandez, sidomos pas mungesës së Ousmane Dembele, gjendja financiare në klub është e tillë që ai mund të largohet pa dëshirën e tij.

“Edhe pse Barcelona nuk planifikon të marrë oferta për Rafinhan, realiteti është ndryshe. Barcelona shpreson të bëjë një transferim të mirë duke shitur një lojtar me më pak minutazh. Por nëse dështon në këtë, Rafinha duket si një burim i mirë të ardhurash. Supozohet se Barcelona do të nxjerrë më shumë para se sa kanë investuar në transferimin e brazilianit”, përfundoi “Sport”.

Rafinha luajti 36 ndeshje për Barcelonën këtë sezon, shënoi tetë dhe regjistroi nëntë asistime. “Transfermarkt” vlerëson vlerën e tij në 50 milionë euro.