177 mijë e 693 euro të tatimpaguesve të Komunës së Fushë-Kosovës u dhanë për ndërtimin e sallës sportive në shkollën fillore të Lismirit.
Punët nisën në vitin 2019, por fëmijët e shkollës së këtij fshati nuk e shfrytëzuan asnjë ditë atë.
Edhe sot pas katër vjetësh, salla është jashtë funksionit dhe dera e saj është e kyçur me dry. Megjithëse sallës sportive i mungon aktiviteti, ajo duket se është shndërruar në një plantacion për kërpudha, të cilat kanë dalë pasi aty mungon ndriçimi dhe ka lagështi.
Në mungesë të pranisë së fëmijëve, objekti ka nisur të vetëshkatërrohet, muri i sallës është çarë, dyshemeja përplot me mbeturina, e edhe tualetet janë dëmtuar.
Vlonjat Hasani, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës, thotë se salla do të duhej të ishte e dedikuar për aktivitete sportive, e jo vend ku të lulëzojë natyra.
Shemsije Fetahu, drejtoreshë në shkollën në Lismir për KIKS Kosovën, nuk ka dashur të flasë për sallën, kjo pasi, sipas saj, kjo temë është e mbyllur për të, me arsyetimin se salla nuk është nën menaxhimin e tyre.
As Komuna e Fushë-Kosovës, e cila ka dhënë gati 200 mijë euro për ndërtimin e saj, nuk është prononcuar për rastin.
Drejtori për Rini dhe Sport në Komunën e Fushë-Kosovës, Besnik Shala, ka refuzuar të flasë për këtë, me arsyetimin se salla u ndërtua në kohën kur ai nuk ka qenë pjesë e komunës.
Punët për ndërtimin e kësaj salle sportive u kryen nga kompania “Seti Commerce” SH.P.K, Construmax SH.P.K, nga qyteti i Suharekës.
Për KIKS-in, përfaqësuesi i kompanisë, Genc Bajraktari, ka pranuar se kanë bërë ndërtimin e sallës ndërkaq nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetares së KIKS-it për cilësinë e duhur të punimeve.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.
