Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka komentuar punën e presidentes Vjosa Osmani për dy vjet prej kur është në krye të Presidencës së Kosovës.
Ajo, në Edicionin Special të Klan Kosovës, ka theksuar se Osmani ka folur kundër ish-krerëve të UÇK-ës që janë në procesin gjyqësor në Hagë, si dhe e ka quajtur si figurë përçarëse.
“Për dy vite nuk kemi parë asnjë fije uniteti për të cilin zonja Vjosa Osmani ka folur dhe është betuar se do ta bëjë të njëjtën gjë. Përndryshe e kemi parë një presidente tejet përçarëse, e kemi parë një presidente e cila me të gjithë vartësit e saj nuk rresht së sulmuari të gjitha mediat dhe të gjithë ata persona që kanë kritika jo ndaj Vjosës si Vjosë, por ndaj si pozicionit të saj si presidente”.
“I keni parë së fundi sulmet e parreshtura ndaj mediave. Për mua ka qenë skandaloz edhe fjalimi vjetor i saj, i cila në pamundësi që të flasë për aktivietet e saja, ajo kthehet që t’i sulmojë oponentët e saj çlirimtarët që janë në Hagë. E kemi parë në vazhdimësi një presidente e cila jo vetëm që heziton të flasë për vlerën më sublime që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por që nuk rresht se atakuari edhe presidentin Hashim Thaçi që po mbahet në Hagë”, ka thënë Deliu-Kodra.
