Xhevat Syla, studiues i letërsisë, ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në Poklek të Drenasit ku u masakruan shumë civilë, ndër ta edhe shkrimtari i njohur Ymer Elshani.
Syla, në një intervistë në Info Magazinë, tha se e ka përjetuar rëndë lajmin për masakrimin e Elshanit.
24 vjet që kur ndodhi masakra në Poklek, e përkujtoj me shumë dhimbje dhe është një prej lajmeve që më ka shokuar. Është ndoshta hera e parë që kam hapur kompjuterin dhe kam shkruar për Ymer Elshanin duke shprehur më shumë një mosbesim për lajmin që kisha dëgjuar, pasi ishte i ri dhe shkrimtar i shquar për fëmijë”, u shpreh Syla.
Sipas studiuesit, vepra e Elshanit rrezaton paqe e dashuri.
“Vepra e tij, ndoshta më shumë se e gjithë të tjerëve, rrezaton më shumë mirësi, dashuri për njeriun, pavarësisht nga përkatësia e tij kombëtare, racore e fetare. Ai ka qenë një prej shkrimtarëve të shquar që me veprën e tij ka pasur rrezatim të tillë”, shtoi ai.
Syla tha se Elshani ishte një njeri i urtë e i qetë, që gjithë jetën e vet e kaloi në vendlindje dhe nga aty, sipas tij, e ka gjetur motivin të krijojë një vepër aq të madhe letrare.
“Një shkrimtar shumë i përkushtuar. Ai në vitin 1967 paraqitet me librin e parë për fëmijë “Anija e Miqësisë” dhe prej atëherë nuk ndalet së krijuari. Deri në vitin 1989 boton diku 11 vepra të ndryshme letrare, brenda tyre dy romane për fëmijë”, përfundoi Syla.
Kujtojmë se Ymer Elshani u vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
