Ahmeti shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të François Léotard

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të figurës së shquar të politikës franceze, François Léotard, ndërmjetësuesit të Bashkimit Europian në vendin tonë gjatë vitit 2001 dhe nënshkrues i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Ahmeti ka kujtuar kontributin që Léotard ka dhënë në procesin e paqebërjes dhe etablimit të barazisë si vlerë në Maqedoninë e Veriut.

“Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të një miku të madh të vendit tonë, përfaqësuesit special të Bashkimit Europian gjatë vitit 2001 dhe nënshkruesit të Marrëveshjes së Ohrit, politikanit francez François Léotard. Me karakterin e tij paqedashës, urtësinë dhe vizionin largpamës ka lënë gjurmë të pashlyeshme kontributi në konsolidimin demokratik të vendit tonë, etablimin e vlerës së barazisë dhe bashkëjetesës paqësore! Ngushëllime familjes së tij, bashkëveprimtarëve dhe mbarë popullit francez! U prehtë në paqe!” – ka shkruar Ahmeti.