Grubi: Asgjë dhe askush nuk e ndal dot ndërtimin e autostradave, paguam 117 milion euro Bechtel-Enkës

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi përmes një postimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook ka ndarë me opinionin informatën se konzorciumi Bechtel Enka po ndërton një autostradë edhe në Serbi të njohur si Korridori i Moravës, madje sot ka lëshuar në përdorim edhe pjesën e parë të tij.

Grubi ka potencuar se ndërtimi i kësaj autostrade në Serbi po bëhet me të njejtin ligj special, me të njejtën kontratë që e ka nënshkruar edhe vendi ynë për realizimin e projektit më të rëndësishëm infrastrukturor në historinë e vendit.

Ai poashtu ka informuar se tashmë është realizuar edhe pagesa e parë ndaj Bechtel Enkës duke potencuar se askush nuk mund të ndalë realizimin e Korridorit 8 dhe se është në duar të deputetëve të deteminojnë dinamikën e realizimit të tij dhe kostot që do të paguhen.

”Me të njejtin ligj special, me kontratën e njejtë, kompania Bechtel – Enka po ndërton edhe në Serbi ku sot autoritetet shtetërore lëshuan në përdorim një pjesë të autostradës. Edhe tek ne u miratua ligji special nga Kuvendi, u negociua kontrata me po të njejtën kompani për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D dhe u nënshkrua, ndërsa tani më Qeveria ka paguar edhe 117 milion euro për paradhënie dhe mobilizim. Lajmet e rreme dhe bllokada e opozitës në Kuvend nuk e ndalon dot ndërtimin, vetëm e shtrenjton dhe e zgjat. Varet nga deputetët nëse autostradat do të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë ose më ngadalë dhe më shtrenjtë” – ka shkruar Grubi.