Modeli zgjedhor, Salihi: Një njësi zgjedhore mund të ishte problematike për partitë shqiptare!

Modeli aktual zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore është më i përshtatshëm për spektrin politik shqiptar, për shkak se i njëjti ka numër të caktuar të deputetëve Brenda zonave zgjedhore, thotë në një prononcim për PRESSonline.al, ish-anëtari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Enver Salihi, duke folur mbi debatin aktual politik mes pushtetit dhe opozitës për ndryshimin e modelit zgjedhor të Maqedonisë së Veriut.

“Modeli aktual zgjedhor është më i përshtatshëm përshkak se i njëjti ka numër të caktuar të deputetëve brenda zonave të barabarta, ndërsa një njësi zgjedhore mund të ishte problematike për partitë shqiptare pasiqë nuk i vëzhgojnë zgjedhjet dhe thuajse nuk marrin pjesë në njësinë katër dhe pesë me çka do të ishte problematike se si do ta pranon rezultatin nëse supozojmë se ka dyshime për manipulime të mundshme. Nuk i vëzhgojnë në gjithë territorin”, deklaroi Salihi për PRESSonline.al

Sipas tij, një njësi zgjedhore vështirë se bëhet sepse kërkohet të mos ketë prag zgjedhor kurse pragu zgjedhor është i patjetërsueshëm dhe i arsyeshëm për parandalimin e rrymave radikale të bëhen pjesë e parlamentit. Ai potencon se pragu minimal do duhej të ishte 3%.

Nëse pushteti mbështet ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, opozitarja VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se do të përfshihet dhe do të japë kontributin e saj në përcaktimin e tekstit përfundimtar të Kodit Zgjedhor. Në anën tjetër midis dy partive më të mëdha në pushtet LSDM-së dhe BDI-së ka dallime për sa i përket modelit zgjedhor. Përderisa LSDM është shprehur e gatshme që të mbështes modelin me një njësi zgjedhore, BDI është shprehur kundër këtij propozimi.(PRESSonline.al)