NZZ: Reperi shqiptar Eaz që po e bën dialektin zvicerano-gjerman “cool”

Reperi Eaz ka shpërthyer në top-listat zvicerane, por edhe në ato gjermane e austriake.

Eaz, emri i vërtetë i të cilit është Arbër Rama, ka prejardhje nga Kosova, por që jeton në Zvicër, ndërsa kënga e tij e fundit “Juicy” po pëlqehet shumë.

Në një bisedë për mediumin zviceran “NZZ Magazin”, Eaz flet për orët e gjata në studio, por që thotë se nuk lodhet pasi që e do muzikën.

A je lodhë?, e pyet gazetarja e NZZ, Janina Gehrig. “Pyeti ata që punojnë nga ora 6 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes. Nuk lodheni kur bëni diçka që e doni”, thotë ai, transmeton Klankosova.tv.

Dhe Eaz po bën pikërisht atë që ka ëndërruar si një 11-vjeçar: muzikë për histori.

Kënga e tij e zhanrit rep “Juicy” tashmë ka hyrë në top-listat zvicerane në vendin e 17-të që në ditën e lansimit, më 2 mars. Që atëherë, kënga me dialekt ka zënë pozita të larta edhe në top-listat e singlave në Gjermani e Austri.

Hera e fundit që është arritur kjo është 55 vjet më parë nga kënga “Grüezi wohl, Frau Stirnimaa” nga Trio Eugster. “Juicy” shpejt mblodhi 10 milionë dëgjime në mbarë botën.

Për ironi, banori i Cyrihut me prejardhje shqiptare, apo “Shaqiri i pop-it zviceran”, siç u quajt kohës së fundit, e bën dialektin zvicerano-gjerman të tingëllojë ‘cool’.

Melodia e “Juicy”, 29-vjeçarit Eaz i erdhi gjatë një mëngjesi në banjë. Ai i këndoi notat direkt në telefonin e tij. “Ende e kam atë incizim në memo”, thotë ai, duke qeshur. Trokiti në derën e mikut të tij, Shkelzen Kastrati alias Xeni, me të cilin e lansoi albumin “Thron” më 2022.

“Kur ne shqiptarët bëjmë diçka që duam, japim 100% e më shumë”, pati thënë Eaz dikur. E tani e specifikon: “Hitet s’mund t’i zgjedhësh. Nuk ulem në PC e të them: Tani do të bëj muzikë. Gjithmonë në studio shkoj pa plan”.

Por, nga vjen nofka Eaz? E është shkronja e pestë e alfabetit (zviceran, shën.red.), A është e para dhe Z është e njëzetegjashta. Kur bëhen bashkë, formojnë numrin 32. Është zona tarifore e Wetzikon, ku Eaz është rritur në një bllok apartamentesh si fëmija më i ri i familjes dhe i vetmi djalë.

Babai i tij ka shkuar në Zvicër nga Kosova si punëtor emigrant në të ’80-at, e më pas edhe nëna e tij dhe tri motrat më 1993, pikërisht në vitin kur lindi Arbër Rama.

“Nëna ime”, thotë ai me krenari, “kompletoi një praktikë në Zvicër, si e para në klasë”. Kur ai mbushi 13-vjeç, Rama incizoi këngët e tij të para, në moshën 16-vjeçare ai bëri betejat e tij të rep-it, shumica në dialekt, ndonjëherë në shqip, të përziera me anglisht. “Zhargon i rrugës”, e quan ai, duke përfshirë disa gabime në të folur, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, jo gjithçka shkoi “vaj” për të, pasi ai shkoi edhe në burg si pasojë e disa borxheve.

“Isha i ri dhe budalla”, thotë ai sot. Ai duket se ende përfiton nga imazhi i këtij “bad boy”, që e bëri të depërtojë në vitin 2015. I shkon një reperi si ai, edhe pse në ndërkohë është kthyer në “djalë të mirë”. Ai është në lidhje me të dashurën e tij zvicerano-kiliane për tre vjet me radhë tash, dhe madje është zhvendosur në Villmergen në Aargau për shkak të saj. Ai thotë se ajo ishte shpëtimi i tij. Sot, ai e kremton suksesin e tij shpesh e më shpesh me një gotë ujë.

Në këngët e Eaz-it kërkohen më kot termat mizogjene dhe glorifikuese të dhunës, të cilat vërshojnë në tekstet e shumë reperëve gjermanë. Hitet e tij më të mëdha janë himne të vërteta për “zonjat”, siç i quan ai. Shpallje dashurie nga dikush që është nuk është në mend. Dhe ndërsa reperët e tjerë lavdërojnë dehjen e drogën, Eaz shërben vetëm “bizzli hash” dhe xhin. “Unë nuk besoj në drogë”, thotë ai. Megjithatë, ai mendon se repi duhet të kalojë kufij, jo gjithmonë të jetë politikisht korrekt. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS