Për herë të 27-të në histori, Barcelona është kampione e La Ligës. Ansambli i trajnerit Çavi Hernandez përmbylli një mision tepër të rëndësishëm katër javë para fundit të sezonit.
Fitorja në derbin e qytetit, 4-2 ndaj Espanjolit mori të tjera përmasa, për t’i shtuar Barcelonës një tjetër trofe prestigjoz vitrinës së pasur të titujve. Fitorja ndaj Espanyolit jo vetëm që siguroi titullin e ligës, por gjithashtu nxori në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e Barcelonës në fushën e blertë.
Përballë një kundërshtari që lufton për mbijetesë, skuadra tregoi cilësi karakteri dhe arriti të thyejë këdo prej skuadrave në këtë sezon. Triumf që është i rëndësishëm edhe për trajnerin Çavi, pasi fiton titullin e parë në karrierën e tij në stol.
“Nuk është liga e Çavit, por e Barcelonës. Një skuadër që po rritet, duke filluar një epokë të re dhe lojtarët që kanë qënë jetësorë. Unë jam këtu vetëm për t’i drejtuar. Kemi ende një dilemë për të siguruar Europën, por ky është një ekip që më jep qetësi për të ardhmen”.
Festa në fushën e lojës nuk ishte ajo e pritura. Tifozë të Espanjolit nuk nguruan për të zbritur në fushë dhe për të sulmuar lojtarë dhe stafin e Barcelonës.
Festimi i titullit në transfertën e rivalit të qytetit duket se nuk ka lënë shijën e duhur tek ta, duke mos toleruar aspak ovacionet dhe koret triumfatore.
Me 12 pikë në lojë deri në fund, Barcelona ka një distancë prej 14 pikësh me Real Madrid ndjekës.
Ndërkaq Espanjol rrezikon shumë rënien një kategori më poshtë, duke qënë 4 pikë larg pozicionit që ta siguron një gjë të tillë në fund të kampionatit.