“Nuk jam ndalur së qari prej kur dëgjova rrëfimin e tij, nuk dija asgjë” – nëna biologjike e Dele Allit flet pas intervistës emocionuese të futbollistit – Telegrafi

Nëna biologjike e Dele Allit i është përgjigjur intervistës jashtëzakonisht emocionale të djalit të saj, duke thënë se nuk e kishte idenë se tani futbollisti i famshëm ishte abuzuar në fëmijëri.

Në një intervistë në “The Overlap” të drejtuar nga Garry Neviile, Alli zbuloi se ishte abuzuar seksualisht në fëmijëri nga shoqja e nënës së tij.

Futbollisti i Evertonit më pas u bë shumë i emocionuar dhe fshiu lotët teksa fliste për traumat e tij, nga prija e duhanit në moshë shumë të vogël, deri te shitja e drogës.  Ai foli pastaj për birësimin dhe fillimet e tij në futboll.

Komuniteti i futbollit e mbështeti 27-vjeçarin dhe yjet e Ligës Premier i dërguan mesazhe mbështetjeje pas intervistës

Nëna e futbollistit anglez tashmë i është përgjigjur rrëfimit të djalit të saj se ai ishte abuzuar seksualisht në fëmijëri nga një prej mikeve të saj.

Denise këmbëngul se nuk kishte asnjë ide për edukimin traumatik të djalit të saj dhe thotë se nuk ka mundur të ndalojë së qari që kur ai dha intervistën.

“Unë nuk kam mundur të ndalem së qari që kur dëgjova djalin tim të përshkruante abuzimin që pësoi si fëmijë. Nuk e kisha idenë se ai ishte abuzuar”.

“Më vjen shumë keq. Më thyhet zemra kur mendoj se dikush që e futa në shtëpinë time më tradhtoi besimin në mënyrën më të keqe të mundshme. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa e mërzitur jam që nuk kam më kontakte me djalin tim. Thjesht shpresoj të kem një shans ta shoh përsëri”, ka thënë ajo për The Sun.

Në moshën 12-vjeçare, Alli u birësua. Më pas ai u bashkua me akademinë e të rinjve të Milton Keynes Dons, ku bëri debutimin e tij në ekipin e parë.

Ai u transferua në Tottenham, ku shijoi periudhën më të mirë të karrierës së tij profesionale, dhe më pas luajti për Everton dhe Besiktas. /Telegrafi/