Mbështetje e fuqishme nga Gjermania, Franca dhe Polonia për ndryshimet kushtetuese

Mbështetje e qartë dhe e fuqishme e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e negociatave me BE-në dhe integrimin e përshpejtuar evropian, është shprehur në takimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski me përfaqësuesit e lartë të Treshes së Vajmarit, Lorans Bun, ministre shtetërore përgjegjëse për Evropën në Këshillin e ministrave të Republikës së Francës, Ana Lirman, ministre për Evropën dhe klimën e Republikës Federale të Gjermanisë dhe ministrin për Bashkimin Evropian të Republikës së Polonisë, Shimon Shinkovski vel Senk, të cilët janë për vizitë zyrtare dyditore në Shkup.

Në takim, siç njoftoi shërbimi për shtyp qeveritar, u vlerësua se vendi ynë aktualisht po përballet me një mundësi unike për të hedhur hapin kyç në integrimin evropian dhe për të siguruar perspektivën evropiane, me mundësinë e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Kjo, siç u tha në takim, do të kontribuojë në zbatimin e detyrueshëm dhe të përshpejtuar të standardeve evropiane në të gjitha fushat me rëndësi për qytetarët, si përmirësimi i standardeve të jetesës dhe sundimi i ligjit.

Gjithashtu, bashkërisht u theksua se zgjerimi i Unionit, veçanërisht në kontekstin aktual, nuk është vetëm një procedurë teknike, por prioritet gjeopolitik i BE-së.

Prandaj, siç thuhet në komunikatë, pa mëdyshje ka pritshmëri që të gjitha subjektet politike në vend të konfirmojnë orientimin evropian, duke i dhënë mbështetje në Kuvend vendimeve të ardhshme, të cilat, siç u theksua, janë pjesë e kornizës së negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Kovaçevski i falënderoi përfaqësuesit e Treshes së Vajmarit për mbështetjen e madhe në procesin e integrimeve evropiane që kanë qytetarët e Maqedonisë dhe inkurajimin e fuqishëm për të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend që të vazhdojnë punën konstruktive në ndërtimin e një konsensusi ndërpartiak për hapin e ardhshëm në procesin e negociatave.

Kryeministri e theksoi rëndësinë e mbështetjes, veçanërisht nga Franca, Gjermania dhe Polonia, të cilat janë tre motorët e zgjerimit mes vendeve-anëtare të BE-së, e shprehur edhe përmes Rezolutës së miratuar në Bundestagun gjerman, e cila konfirmon dhe njeh gjuhën, identitetin dhe kulturën, mbështetjen e forcuar franceze të Maqedonisë së Veriut në nivel evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme vokale të Polonisë në BE.

Në takim ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.