Reforma e gjyqësorit, izraelitët sërish në protestë – Klan Macedonia

Kritikët e reformës thonë se do të dëmtonte parimin e balancës mes tre pushteteve

Protestat nuk kanë të ndalur në Izrael. Reforma gjyqësore e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka rritur zemërimin tek qytetarët të cilët filluan sërish një demonstratë mbarëkombëtare në rrugët e Tel Avivit.

Protestuesit thanë se reforma rrezikon parimin e kontrollit e balancës mes pushteteve.

“Ne jemi qytetarë të Izraelit, që shërbejmë në ushtri dhe paguajmë taksa. Ndodhemi këtu për t’i thënë qeverisë së Izraelit: Sa më shumë të na shtypni, aq më shumë do të rezistojmë.”

Reforma do të forconte kontrollin e qeverisë mbi emërimet në gjyqësor e do të kufizonte kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rishikuar vendimet e qeverisë. Protestuesit thonë se e ardhmja e demokracisë izraelite është në rrezik nëse qeveria realizon planet e saj.

“Gjithçka është në rrezik, shoqëria , universitetet, shëndetësia, gjithçka është në rrezik nëse do të shkojmë në  diktaturë.”

Në mënyrë simbolike disa protestues hynë brenda ndërtesës së një burse në Tel Aviv ku hodhën kartëmonedha false për të vënë në dukje korrupsionin në vend. Vetë kryeministri Benjamin Netanjahy  është në gjyq për akuzat për korrupsion të cilat ai i ka mohuar. Grupe të tjera protestuesish  bllokuann hyrjen në zyrën e ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv ndërsa të tjerë disa akse të rëndësishme rrugore.

Reforma, për të cilën qeveria thotë se është e nevojshme për të frenuar tejkalimin e kompetencave nga gjyqtarët e njëanshëm elitarë, ka shkaktuar zemërim midis kritikëve, të cilët thonë se kjo do të minonte pavarësinë e gjyqësorit.

Klan News