Avokati i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Yll Zekaj, ka thënë se lirimi i personave që u arrestuan për dhunë të gazetarëve vetëm me masën e dorëzanisë është ngecje.
Ai e cilësoi si lajm të mirë arrestimin e personave që kryen sulme ndaj gazetarëve, teksa për masën e dorëzanisë tha se përdoret si kategori ligjore në rastin kur ekziston vetëm rreziku i ikjes së personave nga procedurat penale.
“Por nëse e shohim personalitetin e tyre dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale, atëherë na del se kemi diçka më tepër dhe kemi rrezik të përsëritjes së veprës penale nëse do ta kemi një situatë të njëjtë”.
“Dhe në këto raste, është vetëm masa e arrestit shtëpiak apo paraburgimit si masë adekuate. Kështu që është i habitshëm ky lirim i tyre, e sidomos me dorëzani”, tha Zekaj në “Edicioni Special”, njofton Klankosova.tv.
Zekaj tha se dorëzania është një prej tetë masave që e siguron prezencën e të pandehurve në procedura penale, ku me një shumë të holla që e përcakton gjykata, personat mund të lihen në liri për ta zhvilluar procedurën penale.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.