Që kur hymë në “fazën e portokalltë” të temperaturave të larta, me shumë risqe shëndetësore, (për çka Qeveria me të drejtë mori masat adekuate), një nga arsyet përse duhet të ruhemi nga ekspozimi I rrezikshëm i diellit dhe temperaturave të këtilla, është ruajtja e shëndetit mendor!
Vërtet mjekët kanë të drejtë, sepse nëse përcjellim disa debate publike, sikur u ka rënë dielli në kokë disave, sepse tek i dëgjon, fiton përshtypje se flasin përçart!
Se debati në relacionin pushtet-opozitë kaherë ka rrëshqitur nga binarët e normalitetit, s’do shumë diskutim, aty ke gjithçka, vetëm arsye të shëndosh pak.
Përpjekjeve racionale të pushtetit për t’ia hapur vendit tonë dyert e BE-së me ndonjë kompromis të vogël, siç është futja e bullgarëve në kushtetutë, opozita u përgjigjet me një varg argumentesh iracionale!
Shpik probleme ku s’ka, akuzon aty ku faj nuk ka, ka krijuar një percepcion fatalizmi sikur nesër do të zhduket edhe shteti edhe populli maqedonas, dhe krejt këtë, në stilin që VMRO di ta paketojë, fajin ua hedh shqiptarëve, BDI-së dhe kuadrove të saj.
Sikur shqiptarët kanë dy të tretat e votave në dorë, që duakan t’i bëjnë tradhti popullit maqedonas, që sipas kësaj logjike të mbrapshtë, na qenka bërë pakicë në shtetin e vet!
Këto “ngritje” temperature po shprehen edhe më shumë tash kur ndryshimet kushtetuese kaluan në qeveri dhe kanë kaluar në procedurë parlamentare.
Frika e opozitës se nuk do t’i pengojë ndryshimet, ka shtuar nervozën dhe flet për pasigurinë e saj.
Për këtë qëllim, krijon atmosferën defetiste, me shumë shitje interesash kombëtare, për të realizuar objektivin e vet që në vend të ndryshimeve, të ketë zgjedhje të parakohshme.
Në këtë mënyrë, VMRO-ja dhe Mickoski, bashkë me satelitë eventualë nga tabori politik shqiptar, kanë të vetmin objektiv interesin e ngushtë partiak e grupor, e jo interesin e shtetit që lidhet edhe me procesin eurointegrues.
A do të shkojë gjer në fund me qasjen e këtillë destruktive, përkundër apeleve edhe nga SHBA-të dhe BE-ja, është një çështje që tash për tash duket se është me pak të panjohura sa i përket opozitës.
Vetëm mund të shprehim shpresës se megjithatë, edhe te opozita do të ketë përfaqësues që interesin e vendit do ta vënë para interesin partiak. Sepse, disa zëra dramatikë nga partnerët tanë strategjinë kanë dhënë porosinë e qartë: ky shans nuk guxon të lëshohet!/indeks.mk