Incidenti i ndodhur mënegjesin e së shtunës në Çair të Shkupit, ku persona të panjohur deri tani për organet e rendit, ia vunë flakën makinës së përdorur për qëllimeve private nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, po cilësohet si akt vandal dhe i papranueshëm.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Flaka, analisti politik Xhelal Neziri thotë që: “Djegia e makinës së zëvendëskryeministrit të parë të shtetit është akt vandal dhe serioz”.
Neziri insiston që: “Institucionet duhet të zbardhin rastin me qëllim që të parandalojnë që dhuna të instalohet si praktikë në politikë”.
“Dhuna mund të përdoret si mjet në politikë vetëm në vendet jodemokratike dhe në shoqëritë e pacivilizuara. Unë besoj se ne jemi për vlerat demokratike, e çmojmë demokracinë dhe synojmë integrimin në Bashkimin Evropian (BE)”, thotë për Flaka analisti Neziri.
Nëse dikush i përgjigjet me akte dhune mendimit apo veprimit ndryshe, qoftë i një politikani, gazetari apo qytetari, shton Neziri, atëherë ai nuk është për demokraci dhe as që i ka përthithur vlerat demokratike.
“Politika në shoqëritë demokratike dhe të civilizuara nuk nënkupton vetëm interesa, por edhe parime dhe vlera që duhet respektuar”, shprehet Neziri. /Flaka