Caca Nikollovska: Nuk kemi punë me Bullgarinë, por me BE-në

Sjellja e opozitës për mohimin e përgjithshëm të nevojës për ndryshimet kushtetuese, vetëm me arsyetimin se është diktat apo presion bullgar, duke marrë parasysh raportin e treguar mes vendit tonë dhe BE-së, është krejtësisht e pabazuar,  thotë kryetarja e grupit punues për ndryshime kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska

 

Shkup, 24 korrik – Situata në të cilën ndodhet aktualisht Maqedonia në lidhje me ndryshimet kushtetuese është marrëdhënie mes vendit dhe Bashkimit Evropian, jo Bullgarisë. Pra, palë në këtë proces janë shteti dhe Bashkimi Evropian. Sjellja e opozitës për mohimin e përgjithshëm të nevojës për ndryshimet kushtetuese, vetëm me arsyetimin se është diktat apo presion bullgar, duke marrë parasysh raportin e treguar mes vendit tonë dhe BE-së, është krejtësisht e pabazuar, thotë në intervistë për MIA, kryetarja e grupit punues për ndryshime kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska. “Për grupin e punës ishte i rëndësishëm rishikimi i dokumenteve ndërkombëtare dhe detyrimeve të marra që rrjedhin nga ato dokumente dhe mosvotimi i dokumenteve ndërkombëtare nga opozita është përgjegjësi e saj. Në një demokraci parlamentare, paraqitja e argumenteve është mjeti kryesor, siç është rasti me diskutimin rreth atyre argumenteve”, thekson Caca Nikollovska.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili sipas detyrës zyrtare është kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese të Parlamentit, sot do ta hapë seancën dhe pas miratimit të rendit të ditës, propozimi duhet të sqarohet nga propozuesi, pas së cilës pritet që të hapet debat nga deputetët. Grupet parlamentare njoftojnë se do të shprehin qëndrimin e tyre për ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht të Preambulës, duke përfshirë edhe deputetët nga VMRO-DPMNE. Nga partia e Mickoskit bëjnë të ditur se deputetët do të marrin pjesë në debat, ku do të shprehin qartë argumentet kundër ndryshimeve kushtetuese dhe së shpejti do të bëhet e qartë se qeveria nuk ka shumicë për ta.

Ndërhyrjet në Kushtetutë i referohen shtimit të pjesëve të popujve në Preambulë dhe nenet 49 dhe 78, kur numërohen pjesët e popujve në shtet. Në formulimin: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, një pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak dhe të tjerët”, pas fjalës populli boshnjak vendoset presje dhe shtohen: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli evre dhe populli egjiptian. E pyetur nëse me këto ndryshime do të hapet hapësira për rrezikimin e identitetit maqedonas, Caca Nikolovska thotë se ai nuk është aspak i rrezikuar dhe se kushtetutbërësit e parë e kanë lënë të hapur derën për të shtuar popuj të tjerë.

“Tashmë në tekstin e parë të Kushtetutës, pra në Preambulë, ekziston fjala ‘dhe të tjerët’, që do të thotë se nuk ishte problem. Tani nuk e di pse nuk janë renditur të gjithë, por gjithsesi futja i këtyre popujve në asnjë mënyrë nuk do të rrezikojë identitetin”, shton ajo. Në lidhje me frikën nga bllokada të reja bullgare, ajo thekson se si do të vijojnë gjërat nuk ka qenë temë diskutimi në grupin e punës.

“Megjithatë, kemi diskutuar që ndryshime të tilla nuk mund të rrezikojnë atë që është vlerë, të gjitha vlerat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në dokumente të tjera ndërkombëtare, jo vetëm këto që kanë kaluar në Parlament, por edhe shumë më gjerë, me një vëmendje të veçantë që po i kushtohet dhe është arritur në përfundimin se nuk ka asnjë shans që identiteti të ndryshojë me këto ndryshime. Në çfarë mënyre do të ndryshojë, nëse asgjë tjetër, të paktën të thonë ata që kundërshtojnë ndryshime të tilla. Ekskluzivisht vetëm të flasësh pa argumente, siç e thashë, nuk është më rezultat i demokracisë, nuk është rezultat i asaj që do të thotë të mbrosh të drejtat e njeriut, të cilat janë edhe në Kushtetutën tonë, dhe shumë më gjerë në raport me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian”, thekson ajo.