Ligjet për reformën tatimore para Komisionit për Çështje Evropiane

– Komisioni për Çështje Evropiane sot do të mbajë mbledhje në të cilën në rend dite janë tre ligjet për reformat tatimore, të cilat Qeveria i propozoi me procedurë të shkurtër me flamur evropian: Propozim ligjin e tatimit të solidaritetit, Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin e vlerës së shtuar dhe Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për tatimin e fitimit.

Në Kuvend për sot është caktuar mbledhje e Komisionit për Çështje Evropiane, në të cilën, duhet të debatohet për Propozim ligjin për avokaturë dhe për ndryshimet e propozuara dhe plotësimin e Ligjit për sigurinë e ushqimit dhe të Ligjit për material të farërave dhe të mbjellave për bimët bujqësore, të gjithë në lexim të dytë. Ligjet të cilat janë në rend dite të dy mbledhjeve të komisioneve për çështje evropiane janë të paraparë për debat edhe në Komisionin Ligjvënës-Juridik, i cili gjithashtu duhet të mbajë mbledhje.

Odat ekonomike javën e kaluar në disa raste kërkuan tërheqjen e ligjeve për reforma tatimore, ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski paralajmëroi se në mbledhje të Komisionit për Çështje Evropiane do të kërkojnë që të organizohet debat publik për këto ligje, sepse, siç tha, është mirë që publiku të njoftohet me argumentet nga të gjitha anët të cilët i përfshijnë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, vlerësoi se të gjithë hapat të cilat Oda Ekonomike mund t’i ndërmarrë janë legjitime, ndërsa pastaj, siç tha, edhe institucioni President i shtetit dhe institucioni Gjykata Kushtetuese, nëse vlerësojnë se është momenti të veprojnë siç thotë Oda, mund ta bëjnë këtë.

“Ne si Qeveri nuk kemi se si të devijojmë sepse propozimi tashmë është dërguar në shtëpinë ligjvënëse. Ligji për solidaritetin është nevojë e popullatës. Ato para nuk do të shkojnë për kurrfarë aktivitetesh tjera, por që t’iu ndihmohet atyre të cilët kanë më së shumti nevojë”, deklaroi Bytyqi.

Qeveria në mbledhjen e rregullt të datës 11 të këtij muaji, me propozim të Ministrisë së Financave, i përcaktoi tekstet e tre propozim ligjeve, dispozitat e të cilave, siç bëri të ditur, harmonizohen me direktivat e Bashkimit Evropian dhe të të drejtës evropiane.