Kovaçevski dhe Pendarovski takuan ambasadorin Gir: Nga hapi jonë drejt Evropës varet cilësia e jetës së qytetarëve të RMV-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, realizoi takim me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Gir. Në takim u rikonfirmua mbështetja e fuqishme nga partnerët evropianë për avancimin eurointegrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Hapi i ardhshëm politik në rrugën evropiane, siç u konstatua, lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të RMV-së. Gjithashtu, hapi pritet edhe në komunitetin evropian, si një çështje me rëndësi për stabilitetin e kontinentit evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në takim u vlerësua bashkërisht se të gjitha subjektet politike në vend dhe të gjitha institucionet duhet të fokusohen në vendimet që e afrojnë Maqedoninë e Veriut drejt qëllimit evropian.

Edhe presidenti Stevo Pendarovski priti në takim shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, David Geer dhe zëvendësambasadorin e ri të delegacionit të BE-së, Ben Kupnau.

Në takim u diskutua për situatën aktuale lidhur me aspiratat evropiane të vendit tonë, ecurinë e reformave, si dhe situatën politike në vend dhe në rajon.

 

Stevo Pendarovski, David Geer. Foto: Presidenca e RMV-së
Stevo Pendarovski, David Geer. Foto: Presidenca e RMV-së

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për rrjedhën e negociatave të anëtarësimit dhe procesin e skriningut, si dhe për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të përparuar në procesin e integrimit në BE, ku presidenti Pendarovski theksoi se agjenda evropiane varet nga ne, si dhe zbatimin e tij të detyrimeve që duhet të përmbushen.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.