Radojiçiq, Kurtit: Koha do të tregojë kush do të paguajë në fund

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i ka reaguar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, pas takimit që ai zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një komunikate nga Lista Serbe, Radojiçiq tha se “koha do të tregojë se kush do ta pësojë dhe do ta paguajë në fund”.

Me anë të kësaj deklarate ai e ka quajtur Kurtin pushtues.

“Kërcënimi që i dërguat sot Listës Serbe nga Brukseli në radhë të parë popullit serb, tregon qartë se ju Albin Kurti nuk dëshironi dialog, nuk dëshironi paqe, por konflikte dhe hakmarrje ndaj atyre që nuk mund t’i blini apo thyeni. Prandaj e shfaqët fytyrën tuaj të vërtetë para syve të të gjithë komunitetit ndërkombëtar sot”, tha Radojiçiq.

“Jemi të vetëdijshëm se kërcënimi juaj nuk është naiv sepse në të kaluarën keni treguar se mund të shkaktoni kaos, të nxisni konflikte dhe urrejtje, të abuzoni me institucionet. Dua t’ju them se nuk na frikësoni as ne në Listën Serbe, as popullin serb”, theksoi ai.

Milan Radojiçiq, është i kërkuar nga Policia e Kosovës.

Ai së bashku edhe me Zvonko Veselinoviqin, janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.