Venecia, jo në UNESCO – Klan Macedonia

Përfshirja në listën e rrezikut shihet nga autoritetet italiane si një lëvizje e panevojshme, jo e bazuar në fakte

UNESCO, vendosi të mos e përfshijë Venecian në listën e vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Qyteti italian, njëri nga destinacionet kryesore turistike në botë, ka qenë nën vëzhgimin e UNESCO-s kohëve të fundit, për shkak të turizmit masiv dhe rritjes së nivelit të ujit.

Ministri italian i Kulturës Gennaro Sangiuliano tha se shtimi i Venecias në listë do të kishte qenë një “lëvizje e panevojshme jo e bazuar në fakte objektive dhe për këtë arsye, Venecia nuk është në rrezik”, tha ai në një deklaratë.

Sangiuliano u shpreh gjithashtu se UNESCO ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet italiane për të adresuar çështje si ngritja e një sistemi kundër përmbytjeve dhe miratimi i fundit të një tarife hyrjeje për turistët, që do të zbatohet vitin e ardhshëm.

Venecia, e njohur për kanalet dhe atraksionet kulturore, është kërcënuar prej kohësh nga përmbytjet dhe turizmi masiv. Më herët një raport i UNESCO-s ka bërë të ditur se autoritetet italiane kanë pasur mungesë të vizionit strategjik për të zgjidhur problemet me të cilat përballet një nga qytetet më piktoreske të Italisë.

Futja e Venecias në listën e rrezikut u shmang në momentin e fundit për shkak të disa masave emergjente të miratuara nga qeveria italiane. Në veçanti, një nga ato masa ishte vendimi për ndalimin e anijeve të mëdha të tilla si anijet e lundrimit në kanalin San Marco, si dhe premtimi për të nisur një plan ambicioz të ruajtjes së qytetit.

UNESCO liston 55 vende të Trashëgimisë Botërore globalisht si në rrezik, me 204 të tjera që po monitorohen në mënyrë aktive nga agjencia për shkak të kërcënimeve me të cilat përballen.

Klan News