Presidenti Pendarovski do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Presidenti Stevo Pendarovski, i cili kryeson delegacionin shtetëror maqedonas në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara, sot do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit në debatin e hapur me temën: “Ruajtja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”, transmeton Portalb.mk.

Në seancë është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sonte vonë, me orën e Maqedonisë, presidenti Pendarovski do të marrë pjesë në pritjen me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Republikës Çeke dhe Sllovake dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të dy vendeve në Kombet e Bashkuara, e cila do të mbahet nga presidentët Petr Pavel dhe Zuzana Çaputova.

Ndërkohë, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, dje pasdite mori pjesë në takimin e organizuar për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politika e Jashtme dhe Siguria e Bashkimit Evropian, Josep Borel.

Në takim u diskutua për situatën aktuale dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, proceset reformuese në vazhdim, si dhe tendencat politike dhe ekonomike në rajon në kuadër të zhvillimeve gjeopolitike.

Në bisedime u theksua domosdoshmëria e zbatimit të shpejtë të vendimeve strategjike në lidhje me politikën e zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian në interes të sigurisë, stabilitetit dhe progresit të rajonit dhe në të njëjtën kohë ruajtjes së besueshmërinë e BE-së.

Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione për masat dhe aktivitetet e ndërmarra në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në përgjigje të pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.